Intervistë / Nëse bëhem deputet do të jem urë lidhëse në mes të mërgatës dhe Kuvendit të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Zvicër, Ragip Xhaka, ka dhënë një intervistë për gazetën “Epoka e re”. Ish-i burgosuri politik dhe veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, njëherësh babai i dy sportistëve më të mirë shqiptarë, Granit dhe Taulant Xhaka, në këtë intervistë ka folur për karrierën sportive të djemve të tij, për aktivitetin politik të PDK-së në Zvicër, për zhvillimet politike në Kosovë, për Gjykatën Speciale, për qeverisjen e Kurtit dhe për opozitën.
Ragip Xhaka e ka lënë mundësinë e hapur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë pjesë e listës së PDK-së për deputet. “Për kandidimin tim të mundshëm do të vendoset në forumet e partisë. Por, nëse zgjedhem deputet, ju garantoj se do të jem një urë lidhëse në mes të mërgatës dhe Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Xhaka
Intervistoi: Sadik ZEQIRI
“Epoka e re”: Z. Xhaka, jeni babai i Taulantit dhe Granitit, dy futbollistëve ndër më të mirët që njohin shqiptarët. Si e ndieni veten kur takoheni me simpatizuesit e djemve tuaj?
Ragip Xhaka: Fillimisht ju falënderoj për intervistën! ‘Epoka e re’ është një gazetë e cila me informimin e saj korrekt dhe profesional, gjithmonë është afër qytetarëve, në veçanti është afër mërgatës sonë anekënd ku janë shqiptarët. Të jesh babai i Granitit dhe Taulantit nuk është vetëm nder dhe privilegj, por është edhe përgjegjësi në vete. Ata, ashtu siç janë të përkushtuar në sport, ashtu janë të përkushtuar edhe për hallet e vendlindjes së tyre dhe janë shumë të interesuar që edhe në Kosovë punët të shkojnë për mbarë. Në veçanti janë të interesuar në çështjet sportive, që edhe shqiptarët, në veçanti Kosova, të arrijë sa më lart në të gjitha fushat e sportit, me theks në futboll. Graniti dhe Taulanti kanë shumë adhurues. Përveç zviceranëve, në veçanti adhuruesit e tyre janë shqiptarët. Sa herë që i takoj simpatizuesit e tyre, çdoherë marrë lëvdata për ta, gjë që kjo natyrisht më bën krenar, njëkohësisht na jep edhe një shtytje më tepër për të arritur suksese sa më të mëdha.
“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me rezultatet e Taulantit dhe të Granitit me paraqitjen e tyre?
Ragip Xhaka: Çdo prind ka dëshirë që fëmijët e tyre t’i arrijnë majat e suksesit në çdo fushë. Edhe unë dëshiroj që Graniti dhe Taulanti të jenë sa më lart në fushën e futbollit. Për sukseset e tyre jo vetëm unë, por besoj që janë krenarë të gjithë shqiptarët dhe vendet ku ata i përfaqësojnë. Tani së fundmi Graniti është zgjedhur edhe sportisti i vitit në Zvicër, çmim që natyrisht i bën të ndihen mirë që të gjithë.
“Epoka e re”: Z. Xhaka, keni vuajtur disa kohë edhe në burgjet e Serbisë. Si e vlerësoni situatën politike aktuale sot në Kosovë? Pritjet tuaja nga qeveria aktuale dhe të ish-bashkëvuajtësve tuaj të asaj kohe me të cilët bisedoni për qeverisjen e sotme?
Ragip Xhaka: Në Kosovë çdo gjeneratë ka sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Edhe unë kisha fatin që qelitë e burgut t’i ndaja me shumë bashkëpatriotë. Vlerësoj se mundi nuk na ka shkuar kot dhe kjo kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, falë atyre gjeneratave, në veçanti gjeneratës së luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo gjeneratë krijoi një rrethanë të re kombëtare, politike dhe ekonomike. Me një fjalë, kjo gjeneratë vuri themelet e shtetësisë së Kosovës. Sa i përket qeverisjes aktuale, ajo lë shumë për të dëshiruar në të gjitha fushat, në veçanti gjendja aktuale me të cilën përballen bashkatdhetarët tanë kudo që janë.
“Epoka e re”: Mërgata shqiptare sa herë që Kosova ka pasur nevojë për ndihmë i ka zgjatur dorën, si me “Fondin e 3%-shit”, me Fondin “Vendlindja Thërret” dhe me iniciativa të tjera. Mund të na thoni, sa ka qenë e organizuar në aspektin politik në atë kohë dhe si është e organizuar sot mërgata jonë?
Ragip Xhaka: Ne si mërgatë vetëm kemi bërë detyrën ndaj vendit ashtu siç e ka obligim çdo shqiptar aty ku jeton. Të bëj më të mirën për vendin e tij, nëse është e nevojshme, deri në flijim. Mërgata shqiptare ndër breza të tërë gjithmonë ka qenë e organizuar dhe është munduar ta bëjë më të mirën për Kosovën. Shumë nga ta që ishin të organizuar në mërgatë sot janë heronj të atdheut. Sot mërgata jonë konsideroj se është e organizuar, por Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet shumë më tepër për të bashkërenduar punët me mërgatën shqiptare si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor, të cilën nuk po e bën.
“Epoka e re”: Në Zvicër jeni zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Zvicër. Mund të na thoni pse zgjodhët PDK-në dhe jo një parti tjetër?
Ragip Xhaka: Tani po bëhen dy vjet që jam zgjedhur kryetar i PDK-së, Dega në Zvicër. Në Degën e PDK-së në Zvicër janë njerëz të përkushtuar që i kanë shërbyer vendit me vite të tëra. Vlen të theksohet angazhimi i të rinjve të cilët kanë studiuar dhe studiojnë në universitetet e ndryshme të Zvicrës. Dhe kur thoni pse zgjodhët PDK-në, jua them me bindje se dua të përmbyll një kapitull të jetës time, atë të funskionalizimit sa më të mirë të shtetit të Kosovës. Dhe kush mund dhe di të bëjë këtë më mirë se PDK-ja. Deri më tani PDK-ja qëndron në krye të kësaj.
“Epoka e re”: Në qendrën e paraburgimit në Hagë po mbahen drejtuesit kryesorë të UÇK-së. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerët. A po dëmtohet lufta e UÇK-së dhe Kosova me gjykimin e tyre?
Ragip Xhaka: Po bëhen disa vjet që ish-drejtuesit kryesorë të luftës së lavdishme të UÇK-së, njëkohësisht edhe drejtues kryesorë të shtetit të Kosovës, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. Të gjithë këta emra janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. E në veçanti lirisht mund të them se janë edhe emra të përveçëm në historinë e ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Askush nuk ka fuqi ta dëmtojë dhe njollosë luftën e lavdishme të UÇK-së. UÇK-ja është projekti më i madh ndër dekada ndër shqiptarë.
“Epoka e re”: Ju i keni vizituar në Hagë. Na rrëfeni ndonjë çast të bisedës me ta. Si ndiheshin, çfarë ju thanë?
Ragip Xhaka: Po, i kam vizituar. Ata janë më të qëndrueshëm si asnjëherë më parë. Janë shumë të qetë në këtë proces. Porosia e tyre është që ne duhet të vazhdojmë, të mos ndalemi. Një punë e lënë në gjysmë është më keq se hiç. Kjo është porosia e tyre. Kjo na motivon të vazhdojmë përpara.
“Epoka e re”: Kush më shumë prej tyre po i mungon sot Kosovës?
Ragip Xhaka: Natyrisht që i mungojnë të gjithë. Përveç familjeve dhe miqve, më së shumti i mungojnë Kosovës. Atje po mbahet lidershipi i PDK-së. Dhe natyrshëm që kjo na ka dëmtuar. Por, edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë ashtu siç kemi dalë gjithmonë.
“Epoka e re”: PDK-ja në diasporë, veçanërisht në Zvicër, është duke themeluar nëndegë në disa kantone. Kush po i “ringjall” simpatizantët e saj. A ka prej tyre që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe që tani janë zhgënjyer apo, siç themi ne, i kanë rënë pishman?
Ragip Xhaka: PDK-ka tashmë është duke vazhduar fuqishëm organizimin e saj. Lirisht mund të them që PDK tani jo vetëm që ka shtrirje në të gjitha kantonet e Zvicrës, por është e pranishme në të gjitha qytetet e Zvicrës falë punës së palodhshme të shumë aktivistëve të PDK-së. PDK-ja do të rikthehet fuqishëm jo vetëm në diasporë, por edhe këtu brenda në Kosovë. Po, ka edhe nga ata që kanë votuar LV-në në zgjedhjet e kaluara. Por, ata tashmë e kanë kuptuar manipulimin e tyre që ka bërë LV, në veçanti me mërgatën. Asnjë nga premtimet e tyre elektorale nuk i kanë përmbushur. Përkundrazi, ankesat e bashkatdhetarëve tanë janë shumë të mëdha, në veçanti me problemet me të cilat përballen ata. Siç janë çështja e rregullimit të dokumenteve personale nëpër ambasada dhe konsullata. Jo vetëm këto, bashkatdhetarët tanë janë shumë të shqetësuar për problemet me të cilat është duke kaluar Kosova.
“Epoka e re”: Z. Xhaka, sipas disa aktiviteteve që jua kemi përcjellë dhe publikuar në gazetë, kemi vënë re se jeni duke dhënë kontribut të madh në riorganizimin e PDK-së në Zvicër. Cila moshë dhe gjini po ju mbështet më shumë?
Ragip Xhaka: PDK-ja fuqishëm po organizohet jo vetëm në Zvicër, por kudo ku ekziston mërgata jonë. Kontributi im në fuqizimin e PDK-së në përgjithësi dhe në mërgatë në veçanti ka edhe meritat e bashkëpunëtorëve të mi si dhe të gjithë atyre aktivistëve të palodhshëm. Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj përmes kësaj interviste. Neve si PDK në veçanti na përkrahin të gjithë. Ka një ndërlidhje brezash.
“Epoka e re”: Viti i ardhshëm është vit zgjedhor, fillon përgatitja për zgjedhjet parlamentare. Sa është përgatitur PDK-ja në diasporë për këto zgjedhje?
Ragip Xhaka: Siç thashë, PDK-ja në Zvicër tani më është e shtrirë në të gjitha kantonet dhe qytetet e Zvicrës. Çdo ditë anëtarësohen dhe angazhohen njerëz të rinj. Kjo na obligon edhe më tepër që të punojmë dhe të angazhohemi në çdo moment. Jua them me bindje që PDK është shumë e përgatitur për fitore. Edhe ashtu ky pushtet e ka tepruar me demagogji dhe manipulime të masave. Është koha që vendin ta qeverisin ata që dinë dhe e duan Kosovën. E këtë natyrisht askush nuk mund ta bëjë më mirë se PDK-ja.
“Epoka e re”: A ka dëshpërim të votuesve të diasporës në qeverinë Kurti? Kah është orientimi i tyre sot për votim?
Ragip Xhaka: Një fjalë e urtë popullore thotë: “Shtrenjtë të bleva, por lirë më dole”. Dhe kjo i shkon shumë për shtati qeverisë aktuale. Shumica e tyre në mërgatë, sikurse në Kosovë, tashmë e kanë kuptuar se nga kjo qeveri nuk ka asgjë të mirë për Kosovë. Këta do të mbahen mend vetëm për një gjë: dëmtim të shtetit të Kosovës dhe polarizim të shoqërisë. Po e them edhe njëherë, në kontaktet tona të përditshme me mërgatën tonë, ne kemi një përkrahje të fuqishme.
“Epoka e re”: Deri më sot asnjë veprimtar politik nga mërgata nuk është bërë deputet. A keni menduar të kandidoni?
Ragip Xhaka: Për kandidimin tim të mundshëm do të vendoset në forumet e partisë.
“Epoka e re”: Nëse kandidoni dhe zgjedheni deputet, çfarë shqetësime të mërgatës do të shprehni në Kuvend.
Ragip Xhaka: Siç thashë, për kandidimin tim të mundshëm do të vendoset në forumet e partisë. Por, nëse zgjedhem deputet, ju garantoj se do të jem një urë lidhëse në mes të mërgatës dhe Kuvendit të Kosovës. Askush më mirë se ne nuk i kupton hallet dhe problemet e mërgatës, sepse ne jetojmë çdo ditë me hallet e tyre. Ka shumë gjëra për të cilat duhet ta ngrehim zërin tonë.
“Epoka e re”: Z. Xhaka, suksese në jetën tuaj politike! Suksese djemve tuaj, Taulantit dhe Granitit, që na bëjnë krenarë në çdo paraqitje në ndeshje futbolli e pas çdo ndeshje futbolli.
Ragip Xhaka: Konsideroj se çdo shqiptar që jeton në vend të huaj të jetë shembull i mirë për rrethin dhe komunitetin ku jeton. Në veçanti kam një porosi për të rinjtë dhe të rejat që duan ta ndjekin rrugën e Taulantit dhe Granitit. Pavarësisht prej pengesave që ju dalin, mos u dorëzoni. Me punë dhe përkushtim mund të arrini majat e suksesit. Faleminderit për mundësinë!