Intervistë / PDK-ja do të dalë fituese bindshëm, unë do të jem i votuar masivisht
Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, Hisen Berisha, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dalë fituese e këtyre zgjedhjeve parlamentare. Ndërkaq ka thënë se ai do të jetë i votuar masovisht edhe për një mandat tjetër si deputet. Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, Berisha ka folur për fushatën e PDK-së, kandidimin e Bedri Hamzës për kryeministër, listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë, për alternativën e PDK-së dhe qeverisjen në largim të Kurtit, për prioritetet e tij në Kuvend, për çështjet ndërkombëtare dhe raportet me Shqipërinë dhe për deklaratën e fundit të emisarit special, Grenell. Në këtë intervistë Hisen Berisha tregon se pse qytetarët duhet ta votojnë edhe për një mandat si deputet.
Si e vlerësoni fushatën elektorale të PDK-së deri tani?
Hisen Berisha: Fushata e PDK-së është e fokusuar në një program zhvillimor, me një vizion të qartë për ta nxjerrë Kosovën nga stagnimi dhe për ta vendosur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. PDK është forca politike më serioze dhe profesionale, me kandidaturën e Bedri Hamzës si kryeministër që ka sjellë një besueshmëri të re në elektorat. Lista e deputetëve reflekton integritet dhe profesionalizëm, duke ofruar qytetarëve shpresë dhe zgjidhje konkrete.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për performancën e PDK-së në këto zgjedhje?
Hisen Berisha: Presim që PDK-ja të dalë fituese bindshëm. Programi ynë është i qëndrueshëm dhe zhvillimor, ndërsa zhgënjimi masiv me qeverisjen e LVV-së ka krijuar një momentum të ri për PDK-në. Qytetarët e Kosovës tashmë e dinë që vetëm PDK-ja mund të sjellë stabilitet dhe zhvillim, dhe kjo do të reflektohet në kutitë e votimit.
A mendoni se PDK-ja ka arritur të rifitojë mbështetjen e elektoratit?
Hisen Berisha: Absolutisht po! PDK-ja ka dëshmuar se është një parti e ndershme dhe përgjegjëse. Përkundër përpjekjeve të LVV-së për ta dëmtuar imazhin e saj, nuk është gjetur asnjë fakt që të dërgojë zyrtarët tanë në burg. Qytetarët kanë parë se premtimet boshe të LVV-së nuk janë përmbushur, ndërsa me PDK-në, shteti është zhvilluar dhe institucionet janë forcuar.
Alternativa e PDK-së dhe qeverisja e Kurtit
A po i shërben Kurti vetes më shumë se vendit?
Hisen Berisha: Po, Kurti i shërben vetes dhe rrethit të tij, jo interesave të Kosovës. Ai erdhi si shpresë për ndryshim, por u shndërrua në një zhgënjim të madh. Kemi parë rritje alarmante të korrupsionit, keqpërdorim të parasë publike dhe favorizim të oligarkëve si rasti i GEN dhe energjisë, rezervave shtetërore etj. Veprimet e tij të pamatura kanë izoluar vendin dhe kanë sjellë sanksione ndërkombëtare.
A bini dakord me Haradinajn që kryeministri e ka stagnuar dhe izoluar vendin?
Hisen Berisha: Po, plotësisht. Qeverisja e Kurtit ka sjell recesion ekonomik, inflacion të lartë dhe zero njohje të reja. Veprimet e tij në dialogun me Serbinë kanë sjellë sanksione dhe kanë bllokuar rrugën e Kosovës drejt BE-së.
Situata ekonomike nuk e favorizon Vetëvendosjes në qeverisje. Cila është alternativa juaj në fushatë?
Hisen Berisha: Sipas Bankës Botërore kjo rritje ekonomike që pretendohet nga qeveria Kurti nuk është reale, por rezultat i inflacionit dhe taksave të larta. Kurse alternativa jonë përfshin: Mbështetje për sektorin privat si motor kryesor të ekonomisë. Uljen e barrës fiskale dhe lehtësimin e qasjes në financime për bizneset. Rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës. Zhvillim të qëndrueshëm përmes investimeve të huaja dhe hapjes së vendeve të punës. Rivendosjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë për të rikthyer njohjet dhe investimet strategjike.
Pse duhej vendosur Bedri Hamza si kandidat për kryeministër dhe jo kryetari i partisë?
Hisen Berisha: Bedri Hamza është një profesionist i dëshmuar, me përvojë në financa dhe një histori suksesi si Ministër i Financave. Ai ka kredibilitet të jashtëzakonshëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ndërkombëtar. Për ne, interesi i Kosovës është mbi çdo ambicie personale, dhe Hamza është zgjedhja më e mirë për të çuar përpara zhvillimin e vendit.
Jeni parti fituese apo garoni për opozitë?
Hisen Berisha: PDK-ja është parti fituese dhe synon qeverisjen. Qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe kaosi i kësaj qeverie; ata kërkojnë stabilitet dhe zhvillim, dhe ne jemi gati ta ofrojmë këtë.
Roli i deputetit dhe prioritetet në Kuvend
Nëse do të jeni deputet i Kuvendit, cilat do të jenë punët tuaja primare?
Hisen Berisha: Si deputet, do të angazhohem për: Miratimin e ligjeve që nxisin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Avancimin e integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe BE. Reformimin e sistemit të drejtësisë për të garantuar sundimin e ligjit. Përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë. Rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeveri. Përmirësimin e kushteve për Policinë, Ushtrinë, Zjarrfikësit dhe Shërbimet e Inteligjencës. Avancimin e statusit të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Miratimin e Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës. Mbrojtjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran, si amanet i heronjve dhe dëshmorëve.
Çështjet ndërkombëtare dhe raportet me Shqipërinë
Çfarë roli kanë ndërkombëtarët në orientimin e votës së shqiptarëve?
Hisen Berisha: Ndërkombëtarët janë të rëndësishëm për Kosovën, por vendimi për qeverisjen u takon qytetarëve. Veprimet e qeverisë aktuale kanë dëmtuar raportet tona me aleatët dhe kanë rrezikuar mbështetjen strategjike. Vota e qytetarëve duhet të rikthejë stabilitetin dhe partneritetin ndërkombëtar.
Richard Grenell është kthyer në një pozicion të fuqishëm në administratën Trump; lajm i mirë apo i keq për Kosovën?
Hisen Berisha: Kjo mund të jetë pozitive, por vetëm nëse qeveria e Kosovës ndërton një dialog konstruktiv me ShBA. Kosova duhet të forcojë aleancën strategjike me Amerikën, duke vepruar gjithmonë në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj.
Deklaratat e fundit të emisarit special të presidentit Trump, si e komentoni?
Hisen Berisha: Deklaratat e fundit të Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, janë një sinjal i qartë për krizën e thellë në marrëdhëniet mes qeverisë së Albin Kurtit dhe aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Grenell ka theksuar se Kurti ka kundërshtuar çdo iniciativë të propozuar nga administratat e presidentëve Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump, duke e bërë atë një partner të pabesueshëm për ShBA-në.
Hisen Berisha: Këto qëndrime të Kurtit kanë dëmtuar rëndë raportet me ShBA-në, pasi ai shpesh ka vepruar pa koordinim me Uashingtonin, duke lënduar besimin dhe bashkëpunimin e ndërtuar me dekada. Është e qartë se vazhdimi i kësaj rruge do të sjellë pasoja të rënda për vendin tonë. Albin Kurti duhet të dalë para popullit dhe të tërhiqet nga gara dhe jeta politike. Në të kundërt, përballja me Amerikën do të jetë fatale për të, subjektin e tij por në veçanti për Kosovën. Amerika kurrë nuk heq dorë nga shteti i Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që veprimet e një individi të rrezikojnë të ardhmen tonë. Albin ik!
Si i komentoni veprimet provokuese në Skenderaj?
Hisen Berisha: Prekazi, Drenica dhe mbarë Kosova nuk e durojnë provokimin me simbolit të tre gishtërinjve, siç bëri Kurti dhe shpura e tij e jugonostalgjikëve. Nëse kryeideologu i tyre, akademiku Qose, ua ka deshifruar si trinom të ortodoksizmit, apo kryekëshilltari për negociata, Veton Surroi, si tre shtylla për “Republikën e tretë”, për shqiptarët ky është simboli famëkeq i njësive çetnike që mbahen mend për histori krimesh ndaj popullit shqiptar. Prandaj, koha për thirrjen “Albin, ik!” ka ardhur. Është momenti që Kurti të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe të hapë rrugën për një udhëheqje që do të punojë në harmoni me aleatët tanë strategjikë, duke siguruar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për Kosovën. Por kjo nuk e amniston atë nga dëmi shumëdimensional që ka shkaktuar në Kosovë gjatë këtyre viteve të angazhimit politik. Duhet patjetër dhe do të insistoj në hetimin nga FBI të tërë procesit politik dhe dialogut e dokumenteve që ka prodhuar ky proces, përfshi marrëveshjet ndërkombëtare antikushtetuese në dëm të Kosovës.
Numri 67 në listën e deputetëve është numër i tërmetit
Jeni renditur me nr. 67 në listën e deputetëve të PDK-së. A ka arsye për pyetje pse?
Hisen Berisha: PDK-ja e ka vlerësuar që çfarëdo numri të kem, unë do të jem i votuar masivisht dhe votuesi do të më gjej kudo që të jem i renditur në listë. Unë i jap emër numrit, jo numri Hisen Berishës! Për më tepër, numri 67 më rezultoi të ketë simbolikë historike: vitin 1967, tërmeti në Shqipëri rrënoi vendbanime të tëra. Kështu që, numri 67 do të jetë “tërmeti” politik që do të rrëzojë qeverinë neokomuniste Kurti!
(Mal QORRAJ)