Për deputet më propozuan shumë anëtarë dhe shokë nga Vetëvendosja, synojmë mbi 60 mandate
Veprimtari i çështjes kombëtare dhe shkrimtari Avni Dehari në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit është pjesë e listës e Lëvizjes Vetëvendosjes për deputet.
Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se kush e ka shtyrë që të bëhet pjesë e garës zgjedhore për deputet. “Më propozuan shumë anëtarë dhe shokë nga Lëvizja Vetëvendosje! Ata me përkushtim janë përcaktuar ta bëjnë ndryshimin e madh që qytetarët e Kosovës të kenë liri dhe jetë më të mirë, për të cilën kanë luftuar me mijëra luftëtarë dhe shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë”, ka treguar Dehari, duke shtuar se që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbështetur angazhimin dhe programin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Si anëtar i këtij subjekti, propozimin që të jem kandidat për deputet e kam vlerësuar si një obligim politik dhe moral që vështirë mund të refuzohet. Sidomos kur merren parasysh vullneti dhe gatishmëria e paparë e qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje! për ndryshime të mëdha dhe pritjet e tyre për jetë më të denjë se deri më tash, me shumë të drejtë, të bëjnë të mos e kursesh angazhimin deri në fund. Fundja unë jam ky që jam falë shokëve atdhetarë, prandaj nuk refuzova kërkesën e tyre”, ka thënë Dehari.
Duke folur për moscertifikimin e listës së Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, Dehari ka thënë se ai nuk mund të mos besojë se përpjekja për t’ia pamundësuar Albin Kurtit që t’i prijë listës së kandidatëve në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka prapavijë politike. “Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën e afërt. Të gjithë jemi dëshmitarë se lufta për ta penguar, për ta rrëzuar atë nga qeverisja është zhvilluar në rrethana të papranueshme demokratike, ka qenë e padrejtë, aspak njerëzore dhe tepër e egër”, është shprehur Dehari.
Ai ka theksuar se “keqpërdorimi i Kushtetutës dhe i ligjit ndodh sidomos kur forcohet fuqia politike e Lëvizjes Vetëvendosje në krye të së cilës qëndron ky personalitet politik që ka kohë që gëzon mbështetjen më të madhe në popull”.
Dehari beson se LV-ja në këto zgjedhje do t’i fitojë më shumë se 60 mandate. “Përshtypja ime, edhe pse nuk është reprezentative në kuptimin statistikor, është se ky numër i mandateve, që Lëvizja Vetëvendosje! do të fitojë në këto zgjedhje, është edhe më i madh se kaq”, ka theksuar ai.
Dehari në këtë intervistë thotë se vendin e presin punë të shumta e të mëdha dhe tepër të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës dhe për rendin e saj demokratik.
“Lëvizja Vetëvendosje që nga themelimi i saj seriozisht i ka përvjelë krahët t’i hyjë punës me përkushtim. Në kuptimin metaforik para nesh ka një oqean me punë. Punë, punë dhe vetëm punë, me nder, me përgjegjësi, me disiplinë dhe me dashuri për Atdheun!”, ka theksuar Dehari.
“Epoka e re”: Z. Dehari kush ju propozoi dhe pse pranuat që të jeni kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit?
Dehari: Më propozuan shumë anëtarë dhe shokë nga Lëvizja Vetëvendosje! Ata me përkushtim janë përcaktuar ta bëjnë ndryshimin e madh që qytetarët e Kosovës të kenë liri dhe jetë më të mirë, për të cilën kanë luftuar me mijëra luftëtarë dhe shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë. Për këtë qëllim, që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje! e deri më tash, ata që më propozuan nuk kanë kursyer as mundin, as djersën, as sakrificat, në shumë raste edhe më të mëdha se sa janë pritur. Me pjesëmarrjen e tyre në jetën parlamentare, në këto rrethana jo të lehta politike në të cilat gjendemi, ata kanë vendosur t’i forcojnë themelet e shtetit tonë me ndryshimet pozitive që synojnë t’i bëjnë në të gjitha poret e jetës shoqërore. Kjo kërkon dije mund dhe përkushtim të madh. Për këtë ata kanë edhe vullnetin, edhe dijen, edhe përkushtimin.
Që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje unë kam mbështetur angazhimin dhe Programin e saj. Si anëtar i këtij subjekti, propozimin që të jem kandidat për deputet e kam vlerësuar si një obligim politik dhe moral që vështirë mund të refuzohet. Sidomos kur merren parasysh vullneti dhe gatishmëria e paparë e qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje! për ndryshime të mëdha dhe pritjet e tyre për jetë më të denjë se deri më tash, me shumë të drejtë, të bëjnë të mos e kursesh angazhimin deri në fund. Fundja unë jam ky që jam falë shokëve atdhetarë, prandaj nuk refuzova kërkesën e tyre.
“Epoka e re”: Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konstatuar se 47 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në mesin e tyre është edhe lideri i LV-së, Albin Kurti. Si e keni parë ju ketë vendim?
Dehari: Kjo nuk është e saktë. Me sa e kam kuptuar unë nga mediat, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka konstatuar këtë që po thoni ju. KGJK-ja ka njoftuar KQZ-në për të gjithë personat në listat
e kandidatëve që kanë çfarëdo vendimi përfundimtar të një gjykate. Ajo i është përgjigjur KQZ-ës në pyetjen e shtruar për listat dhe për kandidatët me të dhënat që ka. Me sa kuptoj unë nga drejtësia ligjore KGJK-ja as nuk vendos t’ia ndalojë ose t’ia lejojë ndokujt të drejtën për të qenë deputet. Prandaj, kjo nuk ka të bëjë fare me ndalimin e kandidimit të Albin Kurtit ose të të tjerëve.
Unë nuk mund të mos besojë se përpjekja për t’ia pamundësuar Albin Kurtit që t’i prijë listës së kandidatëve në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka prapavijë politike. Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën e afërt. Të gjithë jemi dëshmitarë se lufta për ta penguar, për ta rrëzuar atë nga qeverisja është zhvilluar në rrethana të papranueshme demokratike, ka qenë e padrejtë, aspak njerëzore dhe tepër e egër. Keqpërdorimi i Kushtetutës dhe i ligjit ndodh sidomos kur forcohet fuqia politike e Lëvizjes Vetëvendosje në krye të së cilës qëndron ky personalitet politik që ka kohë që gëzon mbështetjen më të madhe në popull. Mendoj, dhe atë e them me bindje të plotë, se ata që e kanë nëpërkëmbur deri më tash vullnetin e popullit, që e kanë keqpërdorur qeverisjen në dëm të qytetarëve të Kosovës, me çdo kusht përpiqen ta ruajnë pushtetin që u ka sjellë përfitime të mëdha politike dhe ekonomike të pamerituara. Albin Kurti në këtë pikëvështrim u pengon. Përcaktimet programore të Lëvizjes Vetëvendosje, që ai i përfaqëson, nuk do të lejojnë më që të nëpërkëmbet vullneti i qytetarëve.
“Epoka e re”: Tanimë janë dalë disa sondazhe që Vetëvendosjen e radhitin si subjektin e parë në këto zgjedhje. Nga zyrtarët e saj po thuhet se në zgjedhjet e 14 shkurtit LV-ja do t’i fitojë mbi 60 mandate.
Dehari: Unë nuk jam as njohës, as analist i opinionit publik. Unë mund të flas vetëm për përshtypjet e mia personale nga kontaktet e përditshme gjithandej me qytetarët e Kosovës e më gjerë. Premtimet programore që ofron Lëvizja Vetëvendosje! ngjallin shpresë të madhe se korrupsioni, kriminaliteti, keqqeverisja, që janë bërë kancer në themelet e shtetit tonë, do të marrin fund përgjithmonë. Kjo është dëshmuar edhe në qeverisjen jetëshkurtër të kësaj partie. Për atë pak kohë, sa ajo ishte në pushtet, qytetarët janë bindur se edhe në Kosovë gjërat mund të kthehen për së mbari. Qytetari ynë meriton jetë më të mirë në vendin e tij, jo të tretet nëpër botë për ta siguruar kafshatën e hidhur të bukës. Nëse dje ka qenë detyrë e shenjtë të luftosh dhe ta japësh jetën për lirinë e Kosovës, sot është detyrë po aq e shenjtë të punosh me nder e përkushtim për ndërtimin, për forcimin dhe për ruajtjen e shtetësisë së saj.
Përshtypja ime, edhe pse nuk është reprezentative në kuptimin statistikor, është se ky numër i mandateve, që Lëvizja Vetëvendosje! do të fitojë në këto zgjedhje, është edhe më i madh se kaq.
“Epoka e re”: Po nëse LV-ja nuk arrin ketë numër të deputetëve dhe duhet ndihma edhe e një partie tjetër për të bashkëqeverisur, ju personalisht me cilin subjekt politik preferoni që LV-ja të lidh koalicion paszgjedhor, me LDK-në u provua. Sa janë gjasat me PDK-në?
Dehari: Në këtë drejtim nuk kam ndonjë mendim të kristalizuar. Parimisht nuk dua të përgjigjem në pyetjet e tilla hipotetike. Besoj shumë se do të jetësohen pritjet për një qeverisje të qëndrueshme dhe të suksesshme. Kur të shtrohet nevoja për koalicion, kjo çështje do të zgjidhet si është më së miri. Rrethanat që do të krijohen nuk do të mundësojnë të ndodhë si në zgjedhjet e shkuara. Në fund të fundit kjo është detyrë e organeve më të larta të Lëvizjes Vetëvendosje! Unë nuk jam pjesë e tyre, prandaj nuk dua as të paragjykoj, as nuk dua të marr rolin që nuk më takon.
“Epoka e re”: LV-ja ka arritur një marrëveshje me Vjosa Osmanin, që sipas kësaj marrëveshje asaj i është premtuar posti i presidentit. Në anën tjetër kemi edhe kryetarin e AAK-së i cili pretendon këtë pozitë, dhe kemi propozime që për postin e presidentit të jetë edhe Murat Jashari. Ju mes këtyre tri personaliteteve, kënd kishit preferuar për president?
Dehari: Për mua, si qytetar i këtij vendi, është me rëndësi të kemi për president një personalitet me vlera njerëzore dhe politike, që çmohet nga të gjithë. Shteti ynë ka nevojë për një personalitet unifikues, të pranueshëm për të gjithë, siç thuhet shpesh dhe me shumë të drejtë. Pa mëdyshje do të propozohet për president një njeri që do t’i ketë këto vlera. Meqë Lëvizja Vetëvendosje! në vazhdimësi ka synuar një personalitet të tillë për president të vendit, si qytetar dhe si anëtar i saj, unë do ta mbështes. Unë jam kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje! me bindje, me ndërgjegje dhe me besim të plotë në organet e saj.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi i juaj në përgjithësi për zhvillimet në Kosovë, qoftë në aspektin politik, ekonomik dhe social, dhe si i shihni proceset pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?
Dehari: Na presin punë të shumta e të mëdha dhe tepër të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës dhe për rendin e saj demokratik. Vetëm, a je ai që punon? Punë ka shumë dhe për të gjithë. Lëvizja Vetëvendosje që nga themelimi i saj seriozisht i ka përvjelë krahët t’i hyjë punës me përkushtim. Në kuptimin metaforik para nesh ka një oqean me punë. Punë, punë dhe vetëm punë, me nder, me përgjegjësi, me disiplinë dhe me dashuri për Atdheun!
(Mal Qorraj)