Vuçiqi sërish ka plane për ta rrezikuar integritetin dhe sovranitetin e Kosovës në veri
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka folur për Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, për deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron rreth pezullimit të vizave për Kosovën nga Franca, për vizitën e Vuçiqit në Kinë dhe ndikimin e saj në rajon dhe për situatën e sigurisë pas 24 shtatorit në veri të Kosovës. Berisha ka thënë se deklarata e Macronit është shqetësuese për zotimet që ka marrë kryeministri Kurti në procesin e dialogut. Ndërkaq sa i përket situatës në veri, deputeti i PDK-së thotë se sërish ka rrezik nga ana e Serbisë për skenarë të tjerë në veri
“Epoka e re”: Z. Berisha Samiti i Tiranës për Procesin e Berlinit, në Piramidën e Xhaxhit, ishte koincidencë apo orientim ideologjik?
Berisha: Së pari Samiti i Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë është sukses i shtetit shqiptar, por edhe i kryeministrit Rama. Sa i përket mbajtjes së samitit në një objekt të ndërtuar në kohën e regjimit komunist, duhet marrë me sportivitet. Pra siç deklaroi ish-presidenti Nishani në fjalën e tij në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ndër shumë vlera kombëtare “edhe diktatura komuniste, është pjesë e historisë sonë të errët”, por edhe regjimet totalitare lënë ndonjë vepër arkitektonike apo diçka tjetër me vlerë. Kjo nuk duhet parë që ka të bëjë me orientim ideologjik.
Mendoj se kryeministri Rama ka dashur të tregoj se si një objekt komunist gati të shëmtuar e kthen në një objekt modern e atraktiv dhe me ketë dërgoi mesazh se Shqipëria tashmë e ka mbyllur tranzicionin dhe është gati për transformim në rrugën drejtë BE-së. Mekanizmat shtetërore të Kosovës duhet t’i shmangin nismat integruese që nuk janë në frymën e integrimeve euroatlantike, me theks “Shengenin Ballkanik” apo “Ballkanin e Hapur”, i cili u ideua si revansh ndaj BE-së dhe orientim shantazhues drejtë Unionit Euroaziatik që do ta çonte Kosovën në zhbërje si shtet e jo në integrime euroatlantike. Më në fund po i mbetet të kaluarës së shëmtuar politike ashtu si varri faraonik “piramida”.
“Epoka e re”: Si e patë deklarimin e presidenti francez Emmanuel Macron për pezullimin nga Franca të liberalizimit të vizave për Kosovën?
Berisha: Po lajmi preliminar nga ky samit është edhe një masë ndëshkuese e paralajmëruar nga presidenti francez Macron, e cili u interpretua si “përkthim i gabuar” që ka të bëjë me mospërfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. E kjo në ketë frymë “përkthimi të gabuar” interpretohet si rezultat i moskonsistencës në marrëdhëniet kontraktuale ndërkombëtare obligative të palëve, në këtë rast i Kosovës. Me këtë paralajmërim të “përkthyer gabimisht” u tregua se ky samit në Tiranë nuk iu shërbeu shqiptarëve, ani se presidenti Macron deklaroi sipas “përkthimit të gabuar” se Franca e ka pauzuar liberalizimin e vizave shkaku i shtetarëve kosovarë presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për shkak “të mosrespektimit të fjalës së dhënë” në dialog dhe detyrimet kontraktuale ndërkombëtare, siç u theksua konkretisht asociacioni. Por, një asociacion në trajtën e autonomisë territoriale, politike për veriun si vetmenaxhim që ka propozuar qeveria Kurti, nuk duhet kaluar edhe me kushtin e pezullimit të liberalizimit të vizave. Kosova unike me integritet territorial e sovranitet politik të pacenuar, është mbi të gjitha interesat, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Por, në leximin tim kemi të bëjmë me një zhvillim tejet shqetësues në zotimet që ka marrë kryeministri Kurti në procesin e dialogut. Presidenti Macron zbuloj diçka të tmerrshme për kryeministrin Kurti!? Ai tha se “në e mbajtëm fjalën për liberalizim të vizave, prandaj Kurti duhet ta mbaj zotimin për marrëveshjet e bëra”. Pra, Kurti me marrëveshjet e Brukselit alias planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit, e rrezikoi funksionalitetin dhe sovranitetin e vendit vetëm që ta ruajë rejtingun në elektoratin e vendit. Kjo është pikërisht ajo që kisha paralajmëruar, rrëshqitja drejtë tradhtisë ndaj interesave të shtetit.
“Epoka e re”: Çfarë mesazhi mund përcjell vizita e Vuçiqit në Kinë?
Berisha: Serbia po merr pjesë në samitin e Tiranës e përfaqësuar nga Bernabiç, ndërsa në Kinë takimi i Vuçiqit me Putin, tregon shumë qartë se BE-ja as që guxon ta ndëshkoi Serbinë, pavarësisht se si ajo sillet. Po ashtu, ky është një mesazh në rend të parë për miqtë e partnerët perëndimorë, se nuk duhet të krijojnë iluzion se Serbia do të bëhet një vend demokratik e do t’i mbështes vlerat perëndimore së shpejti. Mendoj se “rrethimi” izolues e zvetënues i Serbisë është alternativa e vetme. Pra, të gjitha vendet përreth saj të bëhen pjesë e plotë e NATO-s dhe BE-së, përveç Serbisë. Orientimi i saj pro Rusisë e Kinës si dhe mbështetja e terrorizmit ndërkombëtar, jo vetëm në Kosovë. Mbi 30% e armatimit nga depot e armatimit serb janë shitur për organizatat Hamas e Hazbullah, për të cilat edhe prodhohet enkas nga industria e armatimit në Kragujevc. Po t’i referohemi luftërave që shkaktoi për 30 vite në Ballkan, Serbia duhet lënë si “gropë septike” derisa të qelben mbeturinat e politikave gjenocidiale antishqiptare, antiboshnjake dhe antikroate. Historia na mëson se Mbretëria serbe keqpërdori fuqitë e perëndimit dhe e krijoi dhe zgjeroi territorin në dëm të tokave dhe popullit shqiptar, keqpërdori fuqinë e vendeve antifashiste dhe mbrojti territoret e okupuara nga lufta e parë botërore, pastaj përmes Marshalit Tito, i shfrytëzoj të gjitha fondet e mundshme të Perëndimit e të Lindjes. Madje përmes “bllokut të të pa inkuadruarve” i voli edhe fonde nga vendet islamike. Me një fjalë, kjo politikë po pretendon të vazhdohet me nismat rajonale, në Tiranë me Bernabiçin dhe në Kinë me Vuçiqin. Mendoj se kombi shqiptar duhet të fillojë përgatitjet serioze për t’u mbrojtur nga një riokupim (ndoshta jo klasik e ushtarak), por gjithsesi ata po planifikojnë në detaje kthimin e Serbisë në tokat e çliruara të Kosovës. Në ketë konotacion nuk lexoj tjetër mesazh, nga vizita e Vuçiqit dhe promovimi i raporteve tradicionale me Kinën e Rusinë.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë pas 24 shtatorit dhe mundësinë që Serbia të pretendojë edhe ndonjë sulm mbi Kosovën?
Berisha: Krimineli gjithmonë kthehet në vendin e krimit. Po ashtu, Serbia nuk ka pretendime siç po deklarohen shumë vlerësues të situatës, vetëm veriun e Kosovës por riokupimin e saj ashti siç e pretendon edhe në Kushtetutën e vet. Prandaj si ushtarak e vlerësoj se drejtuesit e sigurisë dhe mbrojtjes në Serbi dhe komandanti i tyre suprem presidenti Vuçiq, kanë edhe plane alternative për ta rrezikuar integritetin dhe sovranitetin e Kosovës në emër të realizimit të planeve politike ndaj Kosovës dhe territorit të saj e pavarësisë politike. Nga prizmi i vlerësimit ushtarak edhe njohjes së doktrinave të operimit të forcave serbe, është e pritshme që kriminelë ushtarakë serbë, mund t’i sulmojnë (thyejnë apo hapin depot) në bazat serbe afër kufirit të Kosovës, pra të kamuflohen sikur po “plaçkiten” nga kryengritës të “rebeluar” për të organizuar një kryengritje të ashtuquajtur popullore dhe një numër i madh i ushtrisë serbe, të cilët hipotetitkisht gjoja që do të dezertojnë nga ushtria dhe për t’i marrë armët nga kazermat (bazat) e ushtrisë serbe do t’i vërsulen veriut të Kosovës. Pastaj në brendi të territorit, shumë manastire që përfitojnë nga statusi i pacenueshmërisë siç pretendojnë me planin franko- gjerman, pikën 7 të tij, janë baza armatimi, mobilizimi dhe të koordinimit e mbështetjes logjistike. Kjo duhet të jetë mirë e planifikuar nga Vuçiq, që të thirret në kryengritje popullore serbe e jo në agresion të Serbisë dhe ushtrisë serbe ndaj Kosovës. Nga e cila do të pretendoj të dalë e amnistuar siç bëri me rastin e Banjskës apo infiltrimit të trupave të armatosura ushtarake serbe, të cilësuar nga të gjithë si “grup terrorist dhe aksion terrorist” që e rehabiliton Serbinë nga akuzat për agresion. Si ushtarak po dyshoj në këtë skenar, edhe si njohës i luftës dhe skenarëve të luftës, po paralajmëroj këtë skenar të Vuçiqit. Siç e theksova më sipër, Serbia 30% të armëve i ka shitur Hamasit. Dhe sipas informatave publike mediale, shitja është kryer përmes Rumanisë. Ky furnizim, përfshinë armatime në kallashnikov, municione dhe armë tjera që preferojnë grupet terroriste. Përgjegjës të involvuar drejtpërdrejtë për shitjen, janë Aleksandër Vulin dhe shefi i shtabit të ushtrisë serbe. Prandaj do të duhej që të bëhet kërkesë urgjente ndërkombëtare deri në KS/OKB dhe NATO, t’i mbyllet fabrika e armatimit në Kragujevc, të hetohen depot e armëve të Serbisë, për të konstatuar këtë të dhënë inteligjente. Kurse ajo që pres në aspektin politik e diplomatik, është se Izraeli do të duhej ta heqë ambasadorin e vet nga Serbia, e cila shet armë për të vrarë popullin Izraelit.
“Epoka e re”: Në kontekst të temave të sigurisë është bërë dëgjimi publik lidhur me Ligjin për Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake, ju keni punuar gjatë në ketë proces, cili ishte qëndrimi juaj?
Berisha: Nevoja për Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake, në kohën kur sfidat e sigurisë po bëhen gjithherë e më të mëdha, po bëhet e domosdoshme. Sot lufta hibride është një ndër sfidat kryesore. Prandaj, Agjencia e Inteligjencës Ushtarake duhet të jetë pararoje e parandalimit të tyre. Por, jo vetëm ketë, por çdo lloj rreziku, edhe çdo lloj komponenti që e rrezikon sigurinë, përfshirë edhe luftën kibernetike.