Intervistohen nga policia tri edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj 3-vjeçarit
Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar për medie pas rastit të dhunës ndaj një 3-vjeçari në çerdhen “Gëzimi ynë”. Ai ka bërë me dije se edukatoret që pretendohet të jenë të përfshira në rast janë intervistuar nga policia.
Ai ka thënë se rasti është publikuar përmes rrjeteve sociale dhe se ka qenë në çerdhe bashkë me Policinë e Kosovës, drejtoreshën dhe Inspektoratin e Arsimit.
“Për një situatë e cila e ka publikuar përmes rrjeteve sociale që është bë publike dje nga një familjar sipas pretendimeve se një fëmijë është përdorë dhunë ndaj tij. Unë kam qenë me policinë e Kosovës këtu, bashkë me drejtoreshën, Inspektoratin e Arsimit dhe në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet të cilat mirën me këtë çështje”, ka thënë Berisha.
Ai ka njoftuar se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në rast po intervistohen nga policia aktualisht.
“Policia e Kosovës e ka bë ftesën në drejtim të edukatoreve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rast dhe në këto momente janë në stacionin e policisë duke u intervistuar”, ka thënë ai.