Intervistohet nga policia, kërcënoi me djegie Presidencën dhe Gjykatën Kushtetuese
Mbi dyshimet se ka kërcënuar me djegien e Presidencës dhe Kushtetueses, një person nga Mitrovica është ftuar sot për intervistë nga Policia e Kosovës.
“Klan Kosova” ka mësuar se bëhet fjalë për Gëzim Muratin dhe shkak i intervistimit të tij nga policia del të jetë një koment të cilin e ka shkruar në rrjete sociale.
Lidhur me këtë për “Klan Kosovën” ka folur edhe avokati Musa Damati, i ka cili konfirmuar se klienti i tij është ftuar për intervistim.
“Intervista ka përfunduar dhe pritet që rasti për klientin tim të vazhdojë në procedurë të rregullt”, ka thënë Damati.
Ai ka dhënë detaje edhe pse është ftuar për intervistim Gëzim Murati dhe në çfarë cilësie.
“Klienti im me inicialet G.M. është ftuar për intervistim para pak minutave nga Policia e Kosovës”.
“U ftua si i dyshuar për veprën penale ‘Thirrje për rezistencë, bazuar në nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’”, ka thënë Damati.
Siç ka thënë avokatiDamati kjo ftesë ndaj klientit të tij ka të bëjë me dyshimet rreth një komenti në rrjetet sociale se ka aluduar në djegien e zyrës së presidentit të Kosovës dhe të kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
E gjithë kjo ka ndodhur pas vendimit, ku organi më i lartë shtetëror, i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, pa zgjedhje të parakohshme.