Invalidi i UÇK-së: Në Hagë po gjykohet e gjithë UÇK-ja

06 prill 2023 | 15:13

Mbrëmë në edicionin “RTK Prime”, të Radio Televizionit të Kosovës, është diskutuar për temën “Gjykimi në Speciale – Jakup Krasniqi i quan të pabaza akuzat”. Të ftuar në studio ishin drejtori i përgjithshëm i gazetës “Epoka e re”, invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), dëshmitar i masakrës në Burgun e Dubravës, Sadik Zeqiri dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ish-luftëtar i UÇK-së, Fadil Demaku.

Drejtori i gazetës “Epoka e re”, Sadik Zeqiri, ka shprehur mendimin se në Hagë nuk po gjykohen individët, por po gjykohet e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Prokurorët e Speciales po e quajnë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. D.m.th., po i përfshijnë të gjithë pjesëtarët e UÇK-së të cilët kanë luftuar kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Prokurorët e Speciales, duke e stërzgjatur procesin ndaj tyre, duke bërë ndryshime në aktakuzë, po e fyejnë gjithë UÇK-në, të gjithë liderët e saj. Një njollë e zezë mbi UÇK-në, ajo e ‘Shtëpisë së Verdhë’, të cilën e ka përmendur Dik Marti në raport, është hequr tashmë”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka thënë se prokurorët e Gjykatës Speciales nuk duhet të marrin çdo letër, çdo rrëfim, çdo deklarim, çdo libër të botuar për UÇK-në si fakt. “Ata krerë të UÇK-së që sot po gjykohen në Hagë, në Kosovë kanë qenë kundërshtarë politikë. Deklaratat e tyre politike nuk duhet të përdoren në gjykimin e tyre. Kjo nuk është e drejtë dhe, ma merr mendja, nuk ndodh në asnjë vend të botës”.

I pyetur nga gazetarja e RTK-së për heshtjen e Qeverisë së Kosovës pas hedhjes poshtë të aktakuzës për “Shtëpinë e verdhë” nga Gjykata Speciale, Zeqiri tha se pozita nuk e ka më kundërshtar politik Hashim Thaçin. “Ai sot është në paraburgim. Nuk është kundërshtar politik i askujt. Një fjalë e qeverisë, pas hedhjes poshtë të aktakuzës për ‘Shtëpinë e verdhë’, do të duhej të jepej. Unë jam i bindur se ata, pas këtij procesi gjyqësor, do të dalin të pafajshëm”, ka shprehur bindjen invalidi i UÇK-së, Sadik Zeqiri.

(78) RTK Prime – Gjykimi në speciale – Jakup Krasniqi i quan të pabaza akuzat – YouTube

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…