Investimet e rajonit po i merr Serbia
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se kompanitë që duan të investojnë në ndonjërin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e shikojnë edhe potencialin që e jep rajoni si i tërë.
Prandaj, ai ka thënë se aktualisht shumica e investitorëve shkojnë në Serbi sepse duan të bëjnë biznes me tërë rajonin.
Ai ka thënë se kjo duhet të ndryshohet dhe që investimet të vijnë edhe në Kosovë.
“Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon. Është shumë e qartë që secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor, secila ekonomi e vetme nuk është mjaftueshëm relevante për të pasur ekstra argumente pse një kompani duhet të shkojë atje. Por, nëse shikon vetë rajonin është ndryshe. Unë nuk e di ndonjë investitor nga Gjermania që është duke investuar në ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk shikon potencialin e vendeve fqinje në gjithë rajonin”, ka thënë Sarrazin.
Ai ka thënë se kjo është ideja që ata e shtyjnë përpara dhe se kjo qasje ndihmon rrugën drejt BE-së.
“Ju po vuani nga problemet dhe ju do të jeni përfituesit më të mëdhenj nga tregu i përbashkët. Nuk është e lehtë që të kuptosh. Ne e duam Kosovën në këtë rrugë. Ne po punojmë për këtë. Për qeverinë gjermane, investimi ynë në Kosovë është strategjik, angazhimi në KFOR, bashkëpunimi me institucionet e juaja të sigurisë”, ka thënë ai.
Këto komente Sarrazin i ka bërë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane.
Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ky forum synon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe se synon të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi.
“Jam shumë i gëzuar që shoh kaq shumë njerëz këtu, është kënaqësi që jam në Prishtinë, më pëlqen të flas më shumë për biznes se sa për politike, kjo javë është një shembull se çka po synojmë të mbërrijmë së bashku. Ky forum është një mundësi shumë e mirë për Kosovën dhe Gjermaninë”, ka thënë ai.
Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se për katër vite nën udhëheqjen e tyre, është rritur punësimi e rritja ekonomike, madje tha se ka rritje të GDP-së për frymë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sipas tij, Qeveria Kurti e ka përjashtuar Kosovën nga harta e investimeve të jashtme.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe një ndër partnerët tanë kryesorë. Për fat të keq, me qasjen vet-izoluese të Qeverisë së Kosovës, vendi ynë është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme. Këtë e theksoi edhe i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin, në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku konfirmoi shqetësimin tonë se shumë investitorë po i drejtohen shteteve të tjera të rajonit”, ka thënë Haradinaj./Monitor