Investitorët gjermanë interesohen për sektorin e energjisë dhe të minierave në Kosovë
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur të enjten në takim një delegacion të investitorëve gjermanë, të cilët i ka njoftuar për procedurat e aplikimit për t’u kualifikuar si investitor strategjik.
Gjithashtu, ai ka biseduar edhe për punën që Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është duke bërë në krijimin e kushteve për ta.
Delegacioni i investitorëve gjermanë, që përbëhej nga Daniel Dauber, Urve Dietz, Frank Wisel, Gabriele Bitter dhe Ismail Yilmaz, kanë shprehur interesim për sektorët e minierave dhe të energjisë së ripërtërishme, duke dëshiruar të ndjekin edhe shembullin e Bitterit, e cila tashmë ka bërë një investim në kompani për prodhimin e ngjyrave.
Ministri Gashi e ka vlerësuar lart rolin dhe interesimin e kompanive gjermane, ndërsa këta të fundit, duke falënderuar ministrin për pritjen, shprehën gatishmëri për t’i zgjeruar investimet e tyre në Kosovë edhe në sektorët e tjerë, duke u kualifikuar kështu si investitorë strategjikë.
Delegacioni gjerman ka vlerësuar procesin e investimeve strategjike si një formë më e lehtë dhe atraktive për investitorë seriozë.
Ky delegacion ka ardhur për vizitë në Kosovë me iniciativë të Bekim Brestovcit, drejtor i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani.
/Epoka e re/