Investitorët kanadezë të interesuar për sektorin mineral të Kosovës
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur sot në takim ambasadorin e Kanadasë jorezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe për zhvillimet në vend.
Ministri Shala e ka njoftuar ambasadorin Maksymiuk për prioritetet që i ka MTI-ja dhe për mundësinë që shteti kanadez të investojë në Kosovë në fushën e minierave dhe mineraleve.
“Është nder dhe kënaqësi t’iu pres në takim, sepse Kosova e konsideron më shumë se shtet mik Kanadanë. Po vazhdojë në përmbushjen e planeve që i ka Qeveria e Kosovës, që janë të parapara për këtë vit, njëkohësisht duke e rritur dinamikën në secilën fushë. Brenda këtij resori i kam identifikuar prioritetet e mia të cilat mendoj të fokusohem më shumë e që janë mbrojtja e konsumatorit, thithja e investimeve tëhuaja, sepse ministria që drejtoj unë implementon edhe Ligjin për Investime Strategjike dhe përmirësimi i cilësisë së produkteve të cilat ju ofrohen në treg qytetarëve tanë. Po ashtu fokus kam përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe përkrahjen prodhuesve vendor dhe promovimin e eksportit”, ka theksuar ministri Shala.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mundësitë e investimeve kanadezë në sektorin e minierave, që ambasadori Maksymiuk shprehu gatishmërinë e bizneseve të këtij shteti të investojnë në Kosovë për zhvillimin e ekonomik të Kosovës.
Ministri i Shala ka kërkuar nga ambasadori që t’i inkurajoi bizneset kanadeze të investojnë në Kosovë duke shprehur gatishmëri për mbështetje të plot, duke treguar përkushtimin e çdo institucioni që të jetë avokat i bizneseve që shprehin vullnet për të investuar.