Investitori i parë strategjik do të investoj 169 milionë euro
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala e ka konsideruar si të arriturën më të madhe të Qeverisë së Kosovës aplikimin e 12 kompanive në vlerë prej afër 2 miliardë euro për të investuar në Kosovë me Ligjin për Investime Strategjike.
Ministri bëri të ditur se investitori i parë strategjik i ka përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional që u themelua sot me vendim të grupit ndërministror.
Shala theksoi se ky projekt do të prodhojë 105 megavat energji me erë.
“Subjekti aplikues “SowiKosovo LLC” planifikon të investojë 169 milionë euro në ndërtimin e parkut me erë në Komunën e Mitrovicës. Ky është investimi më i madh direkt në Kosovë që nga pas lufta, i realizuar në fushën e investimeve në energji alternative. Parashihet ndërtimi i 30 turbinave me erë që do të prodhojnë 105 megavat energji elektrike. Po ashtu deri tani kemi 12 aplikime me një vlerë të deklaruar afër 2 miliardë euro, krejt kjo po bëhet me Ligjin për Investime Strategjike”, ka thënë Shala.
Ministri për kompaninë në fjalë ka thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike të parapara me Ligjin për Investime Strategjike.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë qëndron e përkushtuar me dinjitet të lartë në përmbushjen e detyrave të saja, njëherit të cilat edhe janë objektiv i Qeverisë së Republikës së Kosovës, pra viti i zhvillimit ekonomik. Lutem që ky vit i zhvillimit ekonomik të shkoj kështu siç ka filluar dhe rinisë sonë të ju mundësohet punësim i qëndrueshëm në vendin e tyre”, ka thënë ministri Shala.
Ministri ka premtuar se do të përkushtohet maksimalisht me stafin e tij që të sjellin sa më shumë investime në Kosovë.
“Unë ju premtoj që do te jem i përkushtuar se bashku me gjithë stafin e MTI-së që sa më shumë të sjellim investime të huaja direkte në vendin tonë”.
Në fund të këtij takimi u formua komisioni operacional i cili do ta shqyrtojë edhe dokumetacionin si dhe plotësimin e kritereve nga investitori.