
Inzaghi: Bayerni është favorit
Interi përballet sërish me Bayern Munich pas dy vitesh nga takimi në fazën e grupeve, që përfundoi me finalen e Champions League në Stamboll. Trajneri Simone Inzaghi foli në konferencë për shtyp për ndeshjen e sotme.
A mjafton motivimi i madh që sjell Champions-i, pas barazimit në Parma?
E dimë mirë rrugëtimin tonë, nuk ishim të kënaqur me rezultatin e fundit. Donim të fitonim, por fatkeqësisht në pjesën e dytë na barazuan dhe tani kemi një sfidë të madhe përpara, kundër një skuadre shumë të fortë. Mendoj se Bayerni është favorit për fitimin e Champions-it bashkë me Real Madridin, por lojtarët e mi e dinë mirë se sa kemi dhënë për të qenë këtu, ndaj do të japim maksimumin. Duhet të jemi skuadër gjatë gjithë kohës. Këtu kemi luajtur edhe më parë, unë si me Interin, ashtu edhe me Lazion, është një stadium i vështirë.
Ku është kufiri mes ëndrrës dhe frikës për të mos fituar?
Lojtarët duhet të jenë gjithmonë të përqendruar, janë njerëz si unë. Interi ka fituar 6 nga 9 ndeshjet e fundit në kampionat, por pas barazimit të fundit është folur shumë. Mund të kisha thënë se katër nga pesë zëvendësimet në Parma ishin të detyruara, për shkak dëmtimesh, por nuk e bëra. Doja të dëgjoja çfarë do të thuhej. Si zakonisht, u fol shumë.
Bastoni, Calhanoglu dhe Dimarco, si është situata e tyre?
Bastoni ka më shumë gjasa të luajë sesa jo, Dimarco më shumë jo sesa po. Calhanoglu mori një goditje dhe të hënën në mëngjes kishte dhimbje, por mendoj se mund të luajë. Me Lautaron ishim marrë vesh që të mos luante më shumë se 45 minuta të dielën, sepse kishte një dëmtim që do e mbante jashtë për 3 javë, por luajti pas 16 ditësh. Të shtunën bëmë vetëm një zëvendësim për zgjedhje teknike, Arnautovic. E sqarova tani. Pika e marrë në Parma na dhemb, sepse mund të fitonim. Tani duhet të përballemi siç duhet me Bayernin.
Para dy vitesh thatë se Bayerni ishte pothuajse i pamundur të mposhtej. A ndiheni më afër tani?
Pa dyshim, krahasuar me dy vite e gjysmë më parë, kemi përparuar shumë. Diferenca në buxhet është e qartë, por në fazën e grupeve kemi bërë më mirë se një skuadër e madhe si Bayerni. Bavarezët luajnë futboll shumë të mirë dhe kanë një trajner të shkëlqyer, që po bën punë të madhe në Mynih.
Bayerni synon finalen në shtëpi, ndërsa Muller është në sezonin e fundit bavarez. A prisni një Bayern më intensiv?
Intensiteti është një nga karakteristikat e tyre. I kam parë gjithmonë të tillë, që nga 2020 me Lazion deri te 2023 me Interin. Janë shumë intensivë, me lojtarë të shkëlqyer. Edhe ne kemi mungesa. Asllani dhe Correa mungojnë, pastaj Zielinski, Taremi dhe Dumfries kanë qëndruar në shtëpi. Bayerni ka mungesat e veta, si edhe ne. Duhet të jemi skuadër, të gjithë të japin kontributin maksimal, sepse do ketë momente kur do duhet të vuajmë së bashku.
Muller do ta mbyllë karrierën me Bayernin, a do të luante tek Interi yt?
Ai është një kampion, mendoj se është lojtari aktiv me më shumë tituj dhe i ka merituar të gjithë. Është numri një për intensitet, e vlerësoj shumë. Kam luajtur kundër tij 4 herë dhe gjithmonë na ka sjellë probleme. Sot do jetë nën vëzhgim të veçantë prej nesh, si edhe shumë të tjerë te Bayerni.
Sa do të ndikojë mungesa e Musiala?
Duhet pyetur Kompany. Flasim për një talent të madh, një nga më të mirët që qarkullon. Është mungesë e rëndësishme për Bayernin, por fakti që mund të zgjedhin mes Gnabry dhe Muller tregon nivelin e tyre.
Kur Inter fitoi titullin e yllit të dytë, klubi deklaroi se prioritet ishte kampionati. Tani nuk ka thënë gjë, çfarë ndryshon?
Nuk ndryshon asgjë. Në 4 vitet e fundit nuk është menduar kurrë për asgjë tjetër, përveçse të fitojmë. Kemi fituar 6 tituj, mund të ishin edhe 8. Jam krenar për atë që kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë. Mendoj se lojtarët e mi duhen duartrokitur. Janë dy muaj me vështirësi, kemi vetëm 14-15 lojtarë në dispozicion dhe flitet vetëm për mungesat e Bayernit. Edhe ne kemi 5 mungesa, por e dimë që duhet të ecim përpara. Sot na pret një pengesë shumë e madhe, që mund të kalohet me besim dhe organizim perfekt.