Inzaghi: Kjo humbje dhemb, do të kthehemi më të fortë

07 janar 2025 | 12:21

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi e ka komentuar ndeshjen finale të Superkupës së Italisë, ku ekipi i tij po fitonte 2:0 ndaj Milanit, por në fund u mposht me rezultat 2:3.

Trajneri italian e pranon se kjo është një humbje e dhimbshme, por që ka kërkuar nga lojtarët që ta harrojnë këtë paraqitje dhe të shikojnë përpara, të fokusohen në objektivat e radhës së ekipit Zikaltër.

“Djelmoshave iu kam thënë se është një humbje që dhemb për mënyrën se si rrodhi loja. Morëm gol me topin në këmbët tona pas 2:0, më pas tek 2:1 duhet ta menaxhonim më mirë situatën. Të humbësh kështu të bën të ndihesh keq, por do të rinisim”, tha fillimisht Inzaghi për televizionin zyrtar të klubit.

“Një finale është gjithmonë një finale. E kishim lojën në dorë, duke luajtur mjaft mirë. Na mungonte qëndrueshmëria në minutat finale. I kishim 3-4 raste për ta fituar lojën”.

“Kjo humbje na lëndoi, por duhet të reagojmë. Na mungoi qartësia në momentet finale, por duhet t’i bëjmë komplimente edhe Milanit sepse, përkundër vështirësive që i kishte, nuk u ndal kurrë së besuari”.

“Ne do të kthehemi pas shtatë ditësh, futbolli tash na mundëson t’i luajmë shumë ndeshje. Tash duhet t’i rikuperojmë lojtarët sepse jemi lodhur, ndeshjet po akumulohen dhe kemi nevojë për të gjithë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka uruar qytetarët e besimit…