Inzaghi: Nuk ka favoritë mes Interit dhe Juventusit
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, beson se si “Nerazzurrët” ashtu edhe Juventusi kanë evoluar që nga hera e fundit që u takuan dhe këmbëngul se nuk ka favorit në finalen e Superkupës së nesërme. Ndeshja mes fituesve të Serie A të sezonit të kaluar dhe Kupës së Italisë fillon nesër në orën 21:00 në “Stadio Giuseppe Meazza”.
“Ne do të kemi nevojë për një paraqitje agresive dhe të vendosur. Jemi të vetëdijshëm se do të ketë momente ku Juve do të na krijojë telashe. Në gusht, ata dukeshin favorit për Scudetton, me Interin dhe klubet e tjera në garë. Por, fusha ka rëndësi. Tani jemi në krye, por gara do të jetë e hapur deri në fund”, ka deklaruar Inzaghi.
“Juventusi ka një ekip konkurrues, Bonucci dhe Chiellini do të luajnë dhe dua t’i uroj fat Federico Chiesas. Unë nuk e njoh personalisht djalin, por kam luajtur me babanë e tij te Lazio. Federico është një trashëgimi për futbollin italian”, ka deklaruar Inzaghi.
Interi barazoi 1-1 kundër Juventusit në tetor, me bardhezinjtë që shënuan golin e barazimit me një penallti të konvertuar në gol nga Paulo Dybala.
“Ne menduam se e kishim fituar atë ndeshje, pastaj ishte ajo penallti. Megjithatë, ishte shumë muaj më parë dhe të dyja skuadrat kanë evoluar që atëherë. Nuk ishte një ndeshje e bukur për të dyja skuadrat që nuk arritën standardet e tyre. Ne kemi një seancë stërvitore sot, luajtëm të dielën mbrëma dhe të gjithë ndihen mirë, përfshirë Edin Dzekon dhe Joaquin Correan”, ka shtuar Inzaghi.
“Të katër sulmuesit janë në formë, dy do të startojnë dhe dy do të shkojnë në bankinë. Të kesh shumë opsione nuk ka qenë kurrë problem. Është një finale dhe nuk ka favorit në këto ndeshje. Juventusi është i pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit dhe ata bënë diçka të jashtëzakonshme të dielën”, ka pohuar ai.
“Ata janë mësuar të luajnë në finale, kanë lojtarë me përvojë, por ne jemi në një moment të mirë”, ka përfunduar Inzaghi.
Interi është lider në tabelën e Serisë A dhe ka fituar tetë ndeshjet e fundit radhazi në Serie A.
Ata kanë sulmin më të mirë në Serie A me 51 gola të shënuar në 21 ndeshje dhe mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë. Ata kanë pësuar 16 gola deri më tani, një më shumë se Napoli i Luciano Spallettit.