IPK-ja arreston një zyrtar policor të dyshuar për tregti të ndaluar
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “tregti e ndaluar”.
IPK-ja ka bërë me dije se kishte pranuar informacione për një zyrtar policor (rreshter policor) përmes rrugëve operative lidhur me dyshimin për kontrabandë me mallra.
“I dyshuari me veturë është ndaluar nga hetuesit e IPK-së mbrëmjen e djeshme (12.08.2020) në Prishtinë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë të njëjtit i është bërë kontrolli i veturës. Gjatë kontrollimit të veturës nga hetuesit e IPK-së janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht gjësende të ndryshme si: mallra të tekstilit, para dhe gjësende të tjera. Edhe vetura me të cilën është bërë transporti i mallrave është sekuestruar si dhe gjatë kontrollit janë identifikuar vende të fshehta brenda veturës e që dyshohet se janë përdorur për fshehjen e mallrave”.
“Hetuesit e IPK-së kanë ftuar edhe njësitë e specializuara të Doganës së Kosovës për sekuestrimin e mallrave që dyshohet se janë përdorur për tregti të ndaluar. Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, ka njoftuar IPK-ja.