IPK-ja arreston një zyrtar të njësisë për mbrojtje të afërt, kanosi dy zyrtarë policorë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar dje një zyrtar policor në Fushë Kosovë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Kanosje”.
“Inspektorati Policor kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës se ky zyrtar policor (zyrtar i njësisë për mbrojtje të afërt i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë të kanë qenë në detyrë. Dyshohet se kanosja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën ‘Dardania’, në kryqëzim me rrugën ‘Hajrullah Zymi’, pranë shkollës ‘Mihail Grameno’ në Fushë Kosovë”, ka njoftuar IPK-ja.
Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.