IPK-ja: Avokati Halilaj është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e Drenasit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë me dije se avokati Gazmend Halilaj nga Drenasi ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në cilësinë e të dyshuarit.
Sipas IPK-së, intervistimi i avokatit Gazmend Halilaj është vazhdimësi e veprimeve hetimore duke ju referuar abuzimit të 16 -vjeçares nga Drenasi ku deri tani janë arrestuar tre të dyshuar.
“Duke ju referuar shkrimeve dhe lajmeve të ndryshme që janë publikuar sot në media, lidhur me lajmin e publikuar sot në media të ndryshme se është arrestuar avokati që mbrojti mësuesin në rastin e Drenasit, Inspektorati Policor i Kosovës njofton të gjitha mediet dhe qytetarët si në vijim: Për hir të informimit të drejtë e të saktë, Inspektorati Policor i Kosovës ju njofton se avokati Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe i njëjti është intervistuar me autorizim të prokurorisë në objektin e Inspektoratit Policor të Kosovës në cilësinë e të dyshuarit”.
“Intervistimi i avokatit Halilaj është vazhdimësi e veprimeve hetimore duke ju referuar rastit që IPK është duke e hetuar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës e ku deri tani janë arrestuar tre të dyshuar. I njëjti është intervistuar si i dyshuar për veprat penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 dhe ‘keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin’ nga neni 239 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas autorizimit të prokurorit hetimi ndaj të njëjtit do të vazhdoj në procedurë të rregullt”, ka njoftuar IPK-ja.
/Epoka e re/