
IPK-ja interviston në cilësinë e të dyshuarve katër zyrtarë policorë në kuadër të një hetimi penal
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se të mërkurën se bashkë me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka realizuar kontrolle në dy lokacione të ndryshme të rajonin e Gjakovës.
IPK-ja ka thënë se këto kontrolle janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.
Deri tani, IPK-ja ka njoftuar se në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar katër zyrtarë policorë.
“Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor. Nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse. Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë”, ka njoftuar IPK-ja.