IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve
Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar dje një informacion nga Policia e Kosovës në Suharekë lidhur me një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.
Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes.
Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.