IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Në kuadër të një hetimi që Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kishin filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës), sot është bërë rekomandimi për suspendim edhe për dy zyrtarë policorë lidhur me rastin e njëjtë. Rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore, është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.