IPK-ja zbulon pse u arrestua një polic në Mitrovicë të Veriut
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është arrestuar sot në Mitrovicë të Veriut.
I njëjti, sipas komunikatës së lëshuar nga IPK-ja dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Bazuar në të dhënat fillestare të pranuara, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.
Madje, gjatë arrestimit, tek i dyshuari janë konfiskuar 12 mijë e 500 euro.
Njoftimi i plotë i Inspektoratit Policor të Kosovës:
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës përmes rrugëve operative kanë pranuar informatat se një zyrtar policor i Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut ishte i përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm.
Bazuar në të dhënat fillestare të pranuara, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.
Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Nga hetuesit e IPK-së ka filluar hetimi penal me dyshimin se nga zyrtari policor janë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.
Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale.
Kjo urdhëresë është zbatuar sot nga hetuesit e IPK-së të cilët janë asistuar edhe nga njësi të specializuara të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit – zyrtarit policor D.K ( pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu).
Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro (dymbëdhjetë mijë e pesëqind euro) të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima.
Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.