IPK nis procedurat ndaj eprorëve të Policisë së Kosovës që u takuan me Vuçiqin
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutua për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë ai.
Ndryshe, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Serbi, është mbajtur më 22 mars, ndërsa në mbledhje u raportua se kanë marrë pjesë edhe pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Në medie u publikua se në mbledhje ishin: Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.
Pas raportimeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë të mërkurës, kishte reaguar pas raportimeve se Stevanoviq, ka marrë pjesë në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.