IPK rekomandon suspendimin e një polici, dyshohet për zbulim të paautorizuar të informacionit konfidencial
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Stacionin e Policisë në Kaçanik, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Zbulim i paautorizuar i informacionit konfidencial”.
Në njoftimin e IPK’së thuhet se informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit i kishin pranuar bazuar në denoncimin e një qytetari.
Aty thuhet se i njëjti dyshohet se kishte ndërhyrë në bazën e të dhënave të Policisë dhe duke përdorur kanale private të komunikimit ka përçuar informacione.
“Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka ndarë informacione të natyrës konfidenciale pa autorizimin përkatës, duke ndërhyrë në sistemin e policisë (bazën e të dhënave) dhe duke përdorur kanale private të komunikimit për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të policisë. Kjo sjellje përbën një shkelje serioze të detyrave zyrtare dhe cenon integritetin dhe besimin në institucionin policor. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.