“IPKO” dhuron pajisje mjekësore për QKMF-në e Klinës
Kompania e telefonisë mobile “IPKO”, ka dhuruar pajisje dhe mjete mjekësore në vlerë 10 mijë euro për Njësinë e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë.
Me këtë rast, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga nënkryetari Besim Hoti, drejtori i Shëndetësisë, Hekuran Sejdiu dhe drejtoresha e QKMF-së, Drita Gjergji, kanë falënderuar zyrtarët e kësaj kompanie për këtë donacion, i cili do të ndikojë në rritjen e shërbimeve për fëmijët që kërkojnë ndihmë shëndetësore.
“Ndihma që keni sjellë për këtë njësi është e mirëseardhur. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen me kompaninë ‘IPKO’. Shëndetësia, vërtet ka nevojë për mbështetje. Edhe qeverisja lokale e ka në prioritet shëndetësinë dhe rritjen e efikasitetit në ndihmë të qytetarëve, pasi që është hallka kryesore për një shoqëri të shëndoshë”, ka thënë Elezaj.
Ndërsa Arjanit Duraku, drejtor i shitjes në kompaninë “IPKO”, ka thënë se ky donacion është bërë me rastin e 10- vjetorit të kësaj kompanie dhe se Klina është në mesin e 10 komunave që kanë përfituar falë bashkëpunimit të mirë.