IPKO-ja nënshkruan memorandum mirëkuptimi për “zgjidhje të mençura” në bujqësi
“IPKO Telecommunications” të enjten ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me “Tetra Tech”, ARD, kontraktues i USAID-it në Kosovë. IPKO-ja përmes këtij memorandumi do të bashkëpunojë me kontraktuesin e USAID-it në projektin inovativ “IPKO – Parashikimi Agrologjik” në nivel ekspertësh.
“Ideja e këtij projekti është që të informohen fermerët kosovarë rreth kushteve agrologjike në vend, po ashtu të pajisen me informata të nevojshme rreth sëmundjeve të bimëve dhe informata tjera specifike për lokacione të ndryshme në Kosovë. Projekti për momentin është në fazë pilotuese. Tashme janë të instaluara 16 stacione agrare, të cilat janë duke gjeneruar të dhëna agrologjike për fermerët”, është thënë në njoftimin e IPKO-s.
Sipas këtij njoftimi, projekti do të lansohet fillimisht duke komunikuar mesazhe përmes SMS-ve për fermerët e regjistruar.
“IPKO-ja synon që deri në fund të projektit të instalojë deri në 100 stacione agrare, në shtatë regjione, duke mbuluar të gjithë territorin e Kosovës. Këto stacione do t’u ofrojnë fermerëve informatat e nevojshme, përfshirë edhe matjen e kushteve të tokës dhe ajrit dhe përmes aplikacioneve specifike duke nxjerrë informacione të nevojshme rreth parashikimit agrologjik. IPKO-ja do të investojë në industrinë bujqësore duke instaluar stacione inovative – të mençura në vende të ndryshme në Kosovë, përderisa kontraktuesi i USAID-it do të asistojë në interpretimin e të dhënave për fermerët kosovar”, është theksuar në njoftimin e IPKO-s.
/Epoka e re/