IPKO plaçkitë qytetarët, nuk u jep arsyetim
Një klient i kompanisë IPKO ka ofruar fakte se kjo kompani e ka plaçkitur atë me rastin e blerjes së një mbushjeje prej pesë eurosh. Ky klient, emër i njohur për redaksinë e gazetës “Epoka e re”, ka treguar se kur e ka blerë mbushjen (gërvishtëse në një dyqan) prej pesë eurosh dhe pas blerjes së pakos mujore me internet, pas përfundimit të këtyre procedurave udhëzuese nga IPKO, atij i është marrë më shumë se një euro, pastaj pas pak minutash i janë marrë edhe paratë e tjera që i kanë mbetur, pa iu dhënë mundësia ta shfrytëzojë pakon mujore të internetit.
Ky klient i IPKO-s ka kërkuar sqarim nga kompania për këtë rast, në të cilën ka bërë ankesë, por deri më sot atij nuk i është kthyer asnjë përgjigje për paratë që ia ka marrë IPKO, përpos që i është konfirmuar se e-maili është pranuar. “Ju njoftojme qe kemi pranuar ankesen tuaj dhe te njejten e kemi drejtuar ne departamentin perkates per ta kontrolluar dhe eshte ne shqyrtim”.
“E kam mbushur telefonin me pesë euro në një pikë të shitjes me kartelë gërvishtëse, por menjëherë, sapo kam dashur ta blej pakon e zakonshme mujore me pesë euro, mua më është harxhuar më shumë se një euro. E kam kontaktuar qendrën e thirrjes në IPKO 049700700 për të kërkuar sqarim. E kam njoftuar të njëjtën për problemin. Përgjigjja ka qenë që paratë janë harxhuar për shkak të kyçjes në internet. Jam sugjeruar të kontaktoj përmes e-mailit për sqarime shtesë. Duke i shkruar e-mail më janë harxhuar edhe paratë e mbetura dhe as e-mail nuk kam mundur të dërgoj. E-mailin e kam dërguar vetëm pasi jam kyçur në internet në shtëpi. Kjo është një hajni e paskrupullt nga IPKO. Këtë punë, deri në kompensimin e eurove të mia, do ta ndjek me ligj”, ka shkruar klienti në adresën e IPKO-s dhe të gazetës.