Iraku akuzon Turqinë për sulmin ku mbetën të vrarë nëntë turistë në rajonin e Kurdistanit

21 korrik 2022 | 09:38

Një grindje diplomatike ka shpërthyer midis Irakut dhe Turqisë pasi nëntë civilë u vranë kur predha artilerie goditën një park në rajonin Kurdistan të Irakut.

Shumica e viktimave ishin turistë irakianë gjersa kishte edhe fëmijë në mesin e të vdekurve. Të paktën 23 persona u plagosën.

Zyrtarët lokalë fajësuan forcat turke dhe Iraku po tërheq të ngarkuarin me punë nga Ankaraja, raporton bbc.

Turqia po sugjeron se forcat që i përkasin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kryen sulmin, transmeton Telegrafi.

“Bombardimi i ashpër i artilerisë” goditi një park në Zakho, një qytet në kufirin midis rajonit të Kurdistanit të Irakut dhe Turqisë”, njoftoi televizioni shtetëror i Irakut.

Iraku ka ftuar ambasadorin turk në Bagdad që të kërkojë falje ndërsa ka tërhequr të ngarkuarin me punë nga kryeqyteti turk.

Turqia mohon se bombardoi resortin turistik në Irak ku u vranë tetë turistë

“Forcat turke kryen shkelje të hapur të sovranitetit të Irakut”, shkroi në Twitter kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi.

Flamuri turk u dogj nga protestuesit jashtë një qendre turke për viza në qytetin irakian të Qerbelasë, ndërsa demonstrata u zhvilluan edhe në Bagdad dhe Nassiriyah.

Shtetet e Bashkuara dënuan granatimet. “Vrasja e civilëve është e papranueshme dhe të gjitha shtetet duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Turqia ka rinis një nga ofensivat e saja periodike kundër luftëtarëve kurdë, të cilët kanë baza në rajon.

Por ministria e jashtme e Turqisë tha se sulmet e së mërkurës u kryen nga “organizata terroriste”. Ai tha se qeveria irakiane nuk duhet të ndikohet nga “propaganda terroriste”, në lidhje me PKK-në.

PKK bën thirrje për një vetëqeverisje më të madhe kurde dhe është e përfshirë në një luftë të armatosur me shtetin turk. Organizata konsiderohet si një grup terrorist nga BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

Ndryshe, kurdët përbëjnë 15-20 për qind të popullsisë së Turqisë ndërsa qeveria në Ankara po përpiqet të ndalojë partinë pro-kurde HDP, e treta më e madhe në parlament.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Balil Gjini “Mehr Licht” – më shumë dritë. Kjo…