Irani i bën thirrje Evropës që ta shpëtojë paktin bërthamor
Irani ka paralajmëruar Evropën se koha po mbaron për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore që ka arritur me fuqitë botërore dhe ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “unilaterizëm” me tërheqjen nga pakti.
Presidenti iranian, Hassan Rohani gjatë samitit të Organizatës për Bashkëpunim që po mbahet në Kinë, ka thënë se përpjekjet e ShBA-së për “të imponuar politikat e saj mbi të tjerët janë rritur dhe paraqet kërcënim për të gjithë”.
“Shembulli i fundit i unilaterizmit ishte tërheqja e Qeverisë amerikane nga marrëveshja bërthamore”, ka thënë Rohani.
Komentet e Rohanit në Kinë vijnë vetëm një ditë pasi kryeparlamentari iranian, Ali Larijani ka thënë se është koha që Evropa të dëshmojë se mund të shpëtojë marrëveshjen.
Më 2015, Irani arriti marrëveshje me fuqitë botërore. Marrëveshja i mundëson Iranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.