Irani bëri një përpjekje tjetër për të ndërhyrë në zgjedhjet në ShBA
Hakerat iranianë duket se janë përpjekur të nxisnin interesin e ekipit të fushatës së Presidentit Joe Biden me informacione të vjedhura nga fushata e kundërshtarit të tij Donald Trump, përfshirë dërgimin e e-maileve drejt njerëzve të lidhur me presidentin demokrat, në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024, tha FBI-ja dhe agjenci të tjera federale të mërkurën.
Nuk ka prova se ndonjë nga personat që ka marrë e-mailin është përgjigjur, thane zyrtarët, duke penguar që informacioni i hakeruar të bëhej publik në muajt e fundit të fushatës zgjedhore.
Hakerët i dërguan e-mailet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut tek individë që ishin të lidhur me fushatën e Presidentit Joe Biden, përpara se ai të tërhiqej nga gara.
Sipas një deklarate të qeverisë amerikane, e-mailet “përmbanin një fragment të shkëputur nga materiale të vjedhura, jo publike nga fushata e ish-Presidentit Trump”.
Ky njoftim, është përpjekja e fundit për të nxjerrë në pah atë që zyrtarët thonë se është synim i vazhdueshme e Iranit për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024-ës, përfshirë një sulm kibernetik që kishte si objektiv fushatën e ish-Presidentit Trump.
FBI-ja, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe të Infrastrukturës deklaruan se sulmi kibernetik ndaj fushatës së zotit Trump dhe një përpjekje për qasje të paautorizuar ndaj informacioneve të ndjeshme të fushatës Biden-Harris janë pjesë e një tentative për të minuar besimin e votuesve në zgjedhje dhe për të nxitur konflikt.
Në 10 gusht, ekipi i fushatës së zotit Trump tha se kishte qenë objektiv i një sulmi kibernetik dhe se aktorë iranianë kishin vjedhur dhe shpërndarë dokumente të brendshme me të dhëna të ndjeshme.
Së paku tre mediave, ‘Politico’, ‘New York Times’ dhe ‘Washington Post’, iu ofruan materiale të brendshme të fushatës së ish-Presidentit Donald Trump. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka dhënë asnjë hollësi mbi materialet që iu janë dërguar.
Përmes një deklarate, Morgan Finkelstein, zëdhënësi i fushatës së zonjës Kamala Harris tha se ekipi i Nënpresidentes kishte bashkëpunuar me organet ligjzbatuese sapo kishte mësuar se individë të lidhur me ekipin e zotit Biden ishin në mesin e atyre që kishin marrë emailet.
“Nuk jemi në dijeni se ndonjë material i është dërguar direkt fushatës, por disa individë kanë marrë e-maile në adresën e tyre personale”, tha zoti Finkelstein.
Karoline Leavitt, zëdhënësja e fushatës së ish-Presdentit Trump e cilësoi përpjekjen e fundit për të dërguar informacione të vjedhura te fushata e Presidentit Biden si “një provë tjetër se iranianët po ndërhyjnë aktivisht në zgjedhje” për të ndihmuar zonjën Harris.
Më herët, Irani ka refuzuar ndërhyrjen në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Reuters për koment. /VOA