Irani dhe fuqitë botërore diskutojnë këtë javë për paktin bërthamor
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif dhe ministrat e pesë fuqive tjera botërore që janë pjesë e paktit bërthamor të vitit 2015, do të takohen në Vjenë më 6 korrik për të diskutuar ruajtjen e marrëveshjes bërthamore, pas largimit të Shteteve të Bashkuara nga kjo e fundit.
Diplomatët e lartë nga Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia do t’i bashkohen ministrit të Jashtëm iranian, Zarif në kryeqytetin e Austrisë për të diskutuar “paketën evropiane dhe masat për të ruajtur marrëveshjen”, ka raportuar agjencia e lajmeve “IRNA”.
Njoftimi ka ardhur pasi presidenti iranian, Hasan Rohani, i shoqëruar nga Zarif është duke vizituar Zvicrën para se të niset në Austri.
Para se të arrinte në Evropë, Rohani ka thënë më 2 korrik se pret nga kombet evropiane që këtë javë të prezantojnë masat që do të ruajnë marrëveshjen, raporton “Rel”.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor në muajin maj duke deklaruar kthimin e sanksioneve kundër Teheranit.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se edhe kombet tjera mund të përballen me sanksione nëse nuk ndalojnë të bërit biznes në Iran.
Shtetet tjera që janë pjesë e paktit, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, kanë thënë se janë të përkushtuara në zbatimin e marrëveshjes për aq kohë sa ka vullnet pala iraniane.