Irani dhe fuqitë botërore diskutojnë marrëveshjen bërthamore
Diplomatë të lartë nga Irani dhe pesë fuqi botërore po takohen në Vjenë, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje.
Ministrat e Jashtëm të Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë takojnë homologun e tyre iranian, Mohammad Javad Zarif, për herë të parë prejse presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar në muajin maj për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore dhe për rivendosjen e sanksioneve kundër Iranit.
“Jemi këtu për të dëgjuar zgjidhje praktike, në vend të sloganeve”, ka thënë Zarif.
Me marrëveshjen bërthamore, Irani e ka frenuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes kanë thënë se do të vazhdojnë zbatimin e saj, për aq kohë sa edhe Irani e bën një gjë të tillë.
Por, presidenti Trump u ka kërkuar edhe vendeve të tjera t’i ndalojnë importet, sidomos ato të naftës, nga Irani, kur sanksionet e ShBA-së kundër Republikës Islamike të hyjnë në fuqi më 4 nëntor, në të kundërtën, ato do të përballen me mundësinë e dënimeve financiare.