Irani ‘dridhet’ përballë SHBA-së: Biden thotë se ka vendosur si të përgjigjet ndaj sulmit mbi trupat amerikane në Jordani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të martën se vendi i tij ka vendosur se si do të përgjigjet ndaj një sulmi me dron i cili vrau tre ushtarë amerikanë në Jordani fundjavën e kaluar.
Biden, duke folur për gazetarë pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë për ta nisur fushatën zgjedhore në Florida, nuk shpjegoi se çfarë vendimi ka marrë pas bisedimeve me këshilltarët e tij kryesorë në Shtëpinë e Bardhë.
Por ai e përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme, duke u bërë jehonë deklaratave të zyrtarëve të tjerë amerikanë të martën se SHBA-ja nuk do luftë me Iranin.
Përgjegjësinë për sulmin ndaj bazës amerikane në Jordani të dielën e mori një grup i mbështetur nga Irani.
Prej atëherë, Biden i ka shqyrtuar mundësitë për t’u përgjigjur dhe pritjet kanë qenë se do të ketë sulme hakmarrëse, por nuk ka qenë e qartë se kur do të përgjigjet SHBA-ja.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Nuk po e kërkoj këtë”, tha Biden.
I pyetur nëse do të përgjigjet ndaj sulmit, Biden tha “po”.
Ndërsa, i pyetur nëse Irani është përgjegjës, Biden shtoi: “I mbaj…. përgjegjës ata në kuptimin se ata po i furnizojnë me armë” njerëzit të cilët i kryen sulmet.
Sulmi me dronë të dielën ishte i parë vdekjeprurës ndaj trupave amerikane prej se shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit në tetor, si dhe shënon një përshkallëzim të madh të tensioneve që e kanë ngufatur Lindjen e Mesme.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u zotua të hënën se Shtetet e Bashkuara do t’i ndërmarrin “të gjithë veprimet e nevojshme” për t’i mbrojtur trupat amerikane.
Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe së paku 34 pjesëtarë të trupave u plagosën në sulmin në Jordani.
Trupat amerikane janë sulmuar më shumë se 150 herë në Irak, Siri dhe Jordani, si dhe luftanijet amerikane në Detin e Kuq, ku rebelët e grupit jemenas Huthi janë duke lëshuar dronë dhe raketa ndaj tyre./REL