Irani ekzekuton katër persona të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin
Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar katër persona të dielën, të cilët akuzoheshin se kanë punuar për agjencinë e inteligjencës së Izraelit, Mossad, tha media shtetërore IRNA. Ndërkaq, tre persona të tjerë janë dënuar me dënime të gjata me burg.
IRNA tha se Garda Revolucionare Islamike ka njoftuar për arrestimin e një rrjeti njerëzish, që pretendon se janë të lidhur me agjencinë izraelite. Kjo gardë tha se anëtarët e këtij rrjeti kishin të kaluar kriminale dhe kishin tentuar që të prishnin sigurinë e shtetit.
Izraeli dhe Irani janë armiq rajonalë dhe Irani vazhdimisht njofton për ndalimin e njerëzve që thotë se spiunojnë për shtete të huaja, përshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Irani nuk e njeh Izraelin dhe mbështet grupet e armatosura anti-izraelite në mbarë rajonin, sikurse Hezbollah dhe Hamas.
Anëtarët e rrjetit vodhën dhe shkatërruan pronë publike dhe private dhe rrëmbyen qytetarë dhe i morën në pyetje, raportoi IRNA. Kjo media tha se këta persona kanë spiunuar dhe kanë marrë paga nga Mossadi në formë të kriptovalutave. Autoritetet iraniane nuk kanë paraqitur asnjë dëshmi për këto pretendime.
IRNA identifikoi të burgosurit e ekzekutuar si Hossein Ordoukhanzadeh, Shahin Imani Mahmoudabadi, Milad Ashrafi dhe Manouchehr Shahbandi. Ndërkaq, tre anëtarët e tjerë të grupit u dënuan nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, tha agjencia e lajmeve iraniane.
Personat e ekzekutuar ishin arrestuar dhe dënuar me vdekje në qershor, nën akuzat për “bashkëpunim të inteligjencës me Izraelin”.
Gjykata Revolucionare e Iranit vazhdimisht shqipton dënime me vdekje, edhe pse mbetet e paqartë se cila gjykatë kishte ngritur aktakuzë për këta persona në qershor.
Gjykata Revolucionare e Iranit u themelua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe njihet për shqiptimin e dënimeve të ashpra për ata që kundërshtojnë udhëheqjen klerike të Iranit.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, Irani ka ekzekutuar të paktën 314 persona më 2021, apo më shumë se gjysmën e numrit të ekzekutimeve të regjistruara në mbarë Lindjen e Mesme po të njëjtin vit, raporton “Rel”.
Irani dhe Izraeli për një kohë të gjatë e akuzojnë njëri-tjetrin për spiunim. Izraeli e sheh Iranin si kërcënimin më të madh dhe vazhdimisht ka kërcënuar me veprime ushtarake për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore. Irani mohon se synon që të ketë armë bërthamore dhe është zotuar për përgjigje të ashpër ndaj çdo agresioni izraelit.