Irani, i gatshëm të dërgojë më shumë naftë në Venezuelë
Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se Teherani do të vazhdojë të eksportojë naftë në Venezuelë, nëse kjo e fundit kërkon më shumë furnizime.
Edhe Irani, edhe Venezuela janë nën sanksione të ShBA-së dhe Uashingtoni ka kërkuar që të ndërpriten dërgesat.
“Irani praktikon të drejtat e tregtisë së lirë me Venezuelën dhe ne jemi të gatshëm të dërgojmë anije të tjera, nëse Karakasi kërkon më shumë furnizime nga Irani”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi.
Irani ka dërguar së voni pesë cisterna me naftë në Venezuelë – vendin që po përballet me mungesa për shkak të krizës ekonomike.
Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar qeveritë, portet detare dhe transportuesit se mund të përballen me ndëshkime nëse i ndihmojnë cisternat e Iranit.
Deri më tani, katër cisterna kanë hyrë në ujërat e Venezuelës.
Tensionet midis Iranit dhe ShBA-së janë në rritje qysh në vitin 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me Republikën Islamike dhe ka rikthyer sanksionet kundër saj.