Irani i kërkon kredi FMN-së për luftimin e koronavirusit
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i bëri thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që t’i sigurojë Teheranit një kredi urgjente miliarda dollarëshe për luftimin e shpërthimit të koronavirusit.
Uashingtoni i ka kthyer sanksionet kundër Republikës Islamike prejse është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me të, në maj të vitit 2018.
Koronavirusi në Iran ka infektuar mbi 62,500 njerëz, ndërsa ka vrarë mbi 3,800.
“Ne jemi vend anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nuk duhet të ketë diskriminim në dhënien e kredive”, tha Rohani në një takim të kabinetit qeveritar.
“Nëse nuk veprojnë në këtë situatë të vështirë, bota do t’i gjykojë ata ndryshe”, shtoi Rohani.
Muajin e kaluar, Banka Qendrore e Iranit ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pesë miliardë euro kredi, për ta ndihmuar në luftimin e koronavirusit.
Një zyrtar i FMN-së është cituar të ketë thënë se Fondi, me seli në Uashington, është në dialog me zyrtarët iranianë për kërkesën./rel/