‘Irani ka shpenzuar 16 miliardë dollarë për të financuar milicitë në Siri dhe Irak’

01 nëntor 2019 | 11:35

Brian Hook, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Iranin, ka thënë se Teherani ka shpenzuar rreth 16 miliardë dollarë për të financuar milicinë shiite në Siri dhe Irak.

Hook i ka bërë këto komente në një intervistë për transmetuesin saudit, “Al-Arabiya”, mirëpo nuk ka specifikuar kohën të cilën ka cituar.

Irani shiit ka rritur ndikimin e tij në Irak, prej largimit të diktatorit Saddam Hussein më 2003, përmes një pushtimi të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Si pasojë e kësaj gjendjeje, Irani ka krijuar hapësirë për të financuar milicinë shiite në Irak, duke përfshirë Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut, që shpesh përleshen me minoritetin sunit në këtë shtet.

Uashingtoni vazhdon të ofrojë ndihmë ushtarake, politike dhe financiare për Bagdadin, derisa Iraku ka tentuar ndër vite të balancojë lidhjet si me Shtetet e Bashkuara ashtu edhe me Iranin fqinj.

Në Siri, Irani bashkë me Rusinë, kanë ofruar ndihmë të madhe për presidentin sirian, Bashar al-Assad në betejën e tij të gjatë me rebelët kundër qeverisë, si dhe ka mbështetur milicinë shiite që vepron jashtë Iranit si degëzim i Gardës Revolucionare.

Irani po ashtu mbështet lëvizjen Hezbollah në Liban.

Liderët izraelitë kanë akuzuar Iranin për tentim të pozicionimit të armëve të avancuara në Irak dhe Siri, përmes së cilave mund ta shënjestrojë Izraelin.

Hook ka thënë gjatë intervistës se Uashingtoni do të vazhdojë të aplikojë sanksione ndaj Iranit, pasi sipas tij zyrtarët e këtij shteti janë përgjegjës “për situatën destabilizuese në rajon”.

Ai po ashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Iraku të zvogëlojë varësinë ekonomike ndaj Iranit. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar përmes një serie postimesh…