Irani i kundërpërgjigjet Amerikës për kushtet
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin vendime për vendin e tij.
Rohani i bëri këto komente pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kërkoi nga Republika Islamike që të bëjë ndryshime të thella, nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet amerikane.
“Kush jeni ju që të vendosni për Iranin dhe botën? Bota sot nuk pranon që Amerika të vendosë për të, vendet janë të pavarura, ajo kohë ka marrë fund”, ka thënë Rohani, raporton Reuters.
Pompeo ka deklaruar të hënën se Shtetet e Bashkuara do t’i vënë Iranit “sanksionet më të fuqishme në histori”.
Në një fjalim në Uashington, Pompeo tha se Irani “do të luftojë për të mbajtur gjallë ekonominë” pasi sanksionet të hynë në fuqi.
Këtë muaj, presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Me këtë marrëveshje, të nënshkruar në vitin 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike është pajtuar të frenojë aktivitetin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Pompeo tha se Irani i ka shfrytëzuar paratë që ka fituar pas heqjes së sanksioneve për të financuar grupet terroriste dhe shtoi se Irani duhet të bëjë “ndryshime të mëdha” nëse do që SHBA t’i heqë të gjitha sanksionet kundër tij.