Irani mbështet Hamasin në luftën me Izraelin
Grupi militant Hamas që udhëheq me Rripin e Gazës ka marrë mbështetje të autoriteteve ushtarake iraniane.
Komandanti i forcës Kuds të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IGRC), gjenerali Esmail Qaani, siguroi Hamasin për mbështetjen e tij të plotë në luftimet që shpërthyen këtë javë në Gaza kundër Izraelit, njoftoi media shtetërore iraniane.
Gjenerali i lartë iranian i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me udhëheqësin e Hamasit, Ismail Haniyeh.
Sipas kanalit televiziv Al-Alam të Iranit, Haniyeh ka thënë se lufta kundër Izraelit nuk ishte vetëm e Hamasit, por e të gjithë botës islamike, raporton “Rel”.
Irani, i cili e konsideron Izraelin armikun e tij dhe mbështet grupet anti-Izraelit, duke përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Libanin jugor.
Hamasi dhe Hezbollahu janë përcaktuar si organizata terroriste nga Izraeli, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Në qershor të vitit 2020 Qeveria e Kosovës, e ka shpallur si organizatë terroriste, grupin militant Hezbollah, përfshirë të gjitha formacionet e saj, si politike ashtu edhe ato ushtarake.
Hamasi ka shkrepur mijëra raketa në drejtim të Izraelit pas një shpërthimi të ri të dhunës javën e kaluar e që më 16 maj hyri në ditën e shtatë. Ushtria izraelite është hakmarrur me sulme ajrore në Gaza.
Që nga fillimi i luftimeve të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë midis të vdekurve në Gaza, ndërsa zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se numri i të vdekurve përfshin 41 fëmijë.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se fushata aktuale kundër militantëve palestinezë “do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet” megjithë thirrjet për qetësi nga Uashingtoni dhe Kombet e Bashkuara.
Netanyahu është zotuar se do të “vazhdojë të përgjigjet me forcë” ndaj sulmeve me raketa, derisa konflikti me palestinezët në Gaza.
“Pala që mban fajin për këtë konfrontim nuk jemi ne, pasi ne jemi ata që po na sulmojnë”, tha Netanyahu.
Shpërthimi i dhunës gjatë gjashtë ditëve të fundit pasoi disa javë tensionesh në rritje në Jerusalemin Lindor, që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas – grupi militant palestinez që drejton Gazën, filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse izraelite.