Irani me projekte të reja për rritjen e prodhimit të gazit natyror
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka njoftuar sot për nisjen e katër projekteve të reja për zhvillimin e një fushe të madhe të gazit natyror nën Gjirin Persik, që Irani e ndan me Katarin.
Irani ka investuar 11 miliardë dollarë për të përfunduar projektet në fushën e gazit natyror në Parsin Jugor.
Katër projektet e reja kanë për qëllim rritjen e kapacitetit prodhues të gazit natyror për mbi 110 milionë metër kubik në ditë, ka bërë me dije Ministria e Naftës së Iranit, përmes një postimi në “Twitter”.
Një kompani nga Franca dhe një nga Kina, kanë pezulluar investimet e tyre në një projekt në Parsin Jugor më 2018, pasi Shtetet e Bashkuara kërcënuan se do të vendosin sanksione mbi kompanitë që bëjnë biznes me Iranin.
Por, ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganesh, ka thënë më 16 mars se Teherani po vazhdon bisedimet me firmat kineze.
Duke folur sot nga provinca Bushehr, presidenti iranian, Hassan Rohani i ka përshkruar sanksionet ekonomike të ShBA-së si “krim kundër njerëzimit”.