Irani miraton projektligjin për të mbrojtur gratë nga dhuna
Qeveria iraniane ka miratuar një projektligj që e dënon si krim dhunën ndaj grave, duke përfshirë veprimet ose sjelljen që shkakton “dëm fizik ose mendor” për gratë.
Projektligji është miratuar nga kabineti qeveritar më 3 janar, ka njoftuar Massoumeh Ebtekar, nënpresident i Iranit, i ngarkuar për çështje familjare, raporton “Rel”.
Projektligji, i cili është shqyrtuar që nga shtatori 2019, do të duhet të miratohet nga Parlamenti për t’u bërë ligj.
Organizata Human Rights Watch (HRW) me bazë në Nju Jork, ka thënë në fillim të dhjetorit të vitit 2020 se projektligji është nën standardet ndërkombëtare pavarësisht se ka “një numër dispozitash pozitive”.
“Derisa projektligji përcakton dhunën ndaj grave gjerësisht dhe kriminalizon forma të ndryshme të dhunës, ai nuk penalizon disa forma të dhunës me bazë gjinore”, ka theksuar HRW-ja, në një raport të dhjetorit 2020.
Mediet kanë njoftuar se projektligji specifikon veprimin ndëshkues, përfshirë dënimin ligjor, dëmshpërblimin civil dhe dënimin me burg për ato që kërcënojnë sigurinë fizike dhe mendore të grave.
Sipas projektligjit, gjyqësori do të ketë për detyrë krijimin dhe sponsorizimin e zyrave që ofrojnë mbështetje për gratë, që vuajnë një lloj dhune ose janë të ndjeshme ndaj dhunës. Projektligji kërkon gjithashtu krijimin e njësive speciale të policisë për të garantuar sigurinë e grave.
Studiuesja e Human Rights Watch, Iran Tara Sepehrifar, ka shkruar në “Twitter” se Parlamenti iranian “nuk duhet të humbasë kohë për të adresuar boshllëqet e mbetura dhe për të kaluar projektligjin. “
Irani është një nga katër vendet që nuk kanë ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave (CEDAW).