Irani mohon se e ka sulmuar cisternën e naftës
Irani ka hedhur poshtë akuzat e Izraelit se Teherani qëndron prapa sulmit ndaj një cisterne të naftës që menaxhohet nga Izraeli.
Në sulmin që ndodhi këtë javë pranë brigjeve të Omanit u vranë një britanik dhe një rumun.
Sulmi ndaj cisternës së naftës Mercer Street, e cila është nën pronësi japoneze, por që operon nën flamurin e Liberisë, ishte sulmi i parë vdekjeprurës ndaj një anijeje komerciale.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Khatibzadeh, në një konferencë për media më 1 gusht, tha se Izraeli ka “krijuar pasiguri, terror dhe dhunë” dhe shtoi se “këto akuza për përfshirjen e Iranit dënohen nga Teherani”. “Me akuza të tilla, Izraeli ka për qëllim që ta shmangë vëmendjen nga faktet dhe, si të tilla, ato janë të pabaza”, shtoi ai.
Më herët, gjatë ditës, kryeministri izraelit Naftali Bennet akuzoi Iranin se po “mundohet ta minimizojë përgjegjësinë” për incidentin.
Më 31 korrik Marina amerikane tha se sulmi ishte kryer me dron dhe se luftanijet amerikane e kanë përcjellë deri në port cisternën që u sulmua.
Cisterna Mercer Street menaxhohet nga Zodiac Maritime, me seli në Londër, që është pjesë e grupit Zodiac të miliarderit izraelit Eyal Ofer.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, ka akuzuar Iranin për sulmin ndaj cisternës dhe ka thënë se Irani është “shortues i terrorizmit, shkatërrimit dhe paqëndrueshmërisë që na dëmton të gjithë ne”. /Rel