Irani mund të sulmojë këtë javë Izraelin
Irani mund të ndërmarrë sulme ndaj Izraelit që “këtë javë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby. “Ne duhet të jemi të përgatitur për një sasi të konsiderueshme sulmesh,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se edhe Uashingtoni mendon sikurse Izraeli se kjo “mund të ndodhë këtë javë”.
Kirby e dha këtë deklaratë pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zhvilloi bisedime me krerët e Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë, gjatë të cilave ai diskutoi për mundësinë e një armëpushimi në Gazë dhe mënyrat për të shpërshkallëzuar tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të përbashkët të bërë të hënën (12.08.) nga Presidenti Biden dhe katër liderët evropianë thuhet: “Ne i kërkojmë Iranit të heqë dorë nga kërcënimet e tij të vazhdueshme për një sulm ushtarak kundër Izraelit dhe diskutuam për pasojat serioze për sigurinë rajonale nëse ndodh një sulm i tillë”.
Izraeli në “gatishmëri maksimale”
Izraeli po përgatitet për një sulm të madhpas vrasjes së udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniya, muajin e kaluar në Teheran, një ditë pasi gjatë një sulmi izraelit në Bejrut ishte vrarë një komandant i lartë i Hezbollahut.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Izraeli është në “gatishmëri maksimale” dhe i merr seriozisht kërcënimet iraniane, por se aktualisht nuk ka ndryshime në udhëzimet për mobilizimin e civilëve.
Ndërkohë edhe SHBA-ja po shton me shpejtësi praninë e saj ushtarake në rajon në pritje të një sulmi iranian.
Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar se qëndron pas vrasjes së Haniyhas, por qeveria izraelite ishte zotuar më parë se do ta vriste atë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit për shkak të rolit të tyre në sulmet terroriste të 7 tetorit.