Irani nis fushatën e imunizimit me vaksinën ruse
Irani ka njoftuar se ka filluar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Ky vend do të përdorë vaksinën ruse Sputnik V. Ministri i Shëndetësisë së Iranit, Saeed Namaki tha se “personi i parë që do të vaksinohet do të jetë fëmija im”.
Kategoritë e para që do të vaksinohen do të jenë personeli mjekësorë që trajton pacientët me COVID-19, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe veteranët, tha zëvëndësministri i Shëndetësisë, Alireza Raisi.
Teherani pranoi më 4 shkurt dërgesën e parë të vaksinave ruse. Autoritetet kanë njoftuar se dy dërgesat tjera pritet të arrijnë në këtë vend më 18 dhe 28 shkurt. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, i tha agjencisë AFP se janë blerë 2 milionë doza të vaksinës.
Ministri Namaki ka thënë se Irani do të furnizohet me 4.2 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit, të blera përmes mekanizmit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Më shumë se 1.4 milion njerëz janë infektuar me koronavirus në Iran. Nga vendet e Lindjes së Mesme, Irani është goditur më së keqi nga pandemia. Mbi 58.500 pacientë kanë vdekur, sipas autoriteteve shëndetësore./rel/