Irani nis pasurimin e uraniumit, nëse dështon marrëveshja bërthamore
Nënpresidenti i Iranit, Ali Akbar Salehi, ka bërë me dije se e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) se ka nisur procesin për rritjen e kapacitetit për pasurimin e uraniumit, në rast se dështon marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila frenon aktivitetin e tij bërthamor.
Salehi i cili kryeson Organizatën për Energji Bërthamore të Iranit, këto komente i ka bërë në një letër të cilën ia ka dorëzuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Vjenë.
Por, Salehi po ashtu ka thënë se Irani do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe se aktivitetet bërthamore të këtij vendi do të mbeten brenda kufijve që i përcakton marrëveshja.
Muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr ShBA-në nga marrëveshja, e cila i ka vënë Iranit kufizime të rrepta mbi pasurimin e uraniumit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania – kanë thënë se mbeten të angazhuara në marrëveshje.