Irani paralajmëron kundërmasa nëse ShBA ia bllokon naftën
Irani do të përgjigjet me kundërmasa të barabarta nëse Shtetet e Bashkuara bllokojnë eksportet e tij të naftës, ka bërë me dije Ministria e Jashtme iraniane.
“Nëse Amerika dëshiron të bëjë hap serioz në këtë drejtim, ajo do të përballet me kundërmasa të barabarta nga Irani”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Bahram Qassemi.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar edhe nga vendet e tjera që të ndalojnë blerjen e naftës nga Irani, nisur nga nëntori, ose, në të kundërtën, do të përballen me pasoja.
Paralajmërimi është bërë pasi presidenti amerikan, Donald Tump, në muajin maj, ka tërhequr ShBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ka rikthyer sanksionet kundër tij.
Marrëveshja me gjashtë fuqi botërore i ka dhënë Iranit lehtësim nga sanksionet në këmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e ka mbështetur sugjerimin e presidentit Hassan Rohani që Irani t’i bllokojë eksportet e naftës nga Gjiri Persik, nëse eksportet e tij ndalohen.