Irani paralajmëron se do të ndërhyjë, nëse Izraeli vijon aksionin në Gaza
Përmes një mesazhi dërguar nga një palë e tretë (Kombet e Bashkuara), Irani ka treguar se do të ndërhyjë, nëse Izraeli e vijon operacionin në Gaza më tej.
Kështu ka bërë me dije një raportim nga Axios, teksa është theksuar se Irani ka komunikuar përmes Kombeve të Bashkuara, duke i përcjellë një mesazh të qartë Izraelit.
Përmbajtja e këtij mesazhi, tregon se Irani nuk ka dëshirë që të përshkallëzohet më tej situata mes Izraelit dhe Hamasit.
Por, nëse diçka e tillë ndodh dhe nëse operacioni i Izraelit në Gaza nuk ndalet, atëherë nuk do të ketë rrugë tjetër për Iranin, përveçse të ndërhyjë.
Kjo megjithatë duket se nuk e ka stepur aspak Izraelin, pasi këta të fundit janë të vendosur t’i çojnë gjërat deri në fund, duke zhvilluar edhe një inkursion të organizuar në Gaza, në rrugë tokësore, i cili pritet të zhvillohet në orët në vijim.
Është e vërtetuar tashmë edhe nga nënadmirali i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari: Shumë shpejt (në orët në vijim), operacioni i posaçëm për inkursion në Gaza, do të nisë.
Paralajmërime në fakt janë bërë në shumë instanca, për t’u përgatitur që natën e 14 tetorit për hyrjen e Izraelit në operacionin më të madh ushtarak brenda Gazas në histori.
Qëllimi kryesor është vetëm një: Zhdukja rrënjësore e Hamasit dhe vendosja e kontrollit në rajonin palestinez, i cili vetëqeveriset prej vitit 2006 nga militantët e Hamasit.
Të gjithë banorëve në Gazan lindore u është bërë thirrja e fundit, që të ikin prej banimeve të tyre, për të shmangur çdo humbje të mundshme civile.
Inkursioni nga toka në fakt, është i pashmangshëm tashmë dhe mungon vetëm fillimi i tij.
Nga vetë IDF-ja, është thënë se janë mbyllur përgatitjet e fundit dhe gjithçka pritet është urdhri për inkursion.
Sipas tyre, inkursioni do të parashohë një seri planesh të gjera operative tokësore dhe kombinime të mëtejshme do të ketë edhe nga ajri, deti dhe toka.
Kjo gjë do të shënonte nëse realizohet edhe aksionin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë nga Izraeli në Gaza, me qëllim zhdukjen përfundimtare të Hamasit dhe asgjësimin e krerëve të tij.