Irani pranon se ka rrëzuar gabimisht avionin ukrainas
Teherani zyrtar ka pranuar të shtunën se ka rrëzuar aksidentalisht avionin ukrainas pak minuta pas nisjes nga Teherani, duke lënë të vdekur 176 pasagjerë.
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy tha se pret pranim të plotë të fajësisë dhe kompensim nga Irani.
Zelenskiy tha se “Irani ka pranuar fajësinë për rrëzimin e avionit, por ne insistojmë në pranimin e plotë të fajësisë”.
‘Ne presim që Irani të garantojë gatishmërinë për hetime të plota, për të vënë para drejtësisë fajtorët, të kthejë trupat e pajetë dhe të paguaj dëmshpërblimin, si dhe kërkimfalje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, shtoi ai.
Kjo deklaratë e presidentit ukrainas të shtunën, vjen pak kohë pasi Irani zyrtar deklaroi se aksidentalisht ka rrëzuar aeroplanin ukrainas më 8 janar.
Avioni i tipit Boeing 737-800 i përkiste kompanisë ukrainase Ukraine International Airlines (UIA). Ai ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khmoeini në Teheran.
Sipas njoftimit të Iranit, thuhet se ushtria ka ngatërruar aeroplanin duke e konsideruar si kërcënim pasi kishte kaluar pranë qendrës ushtarake të Gardës Revolucionare.
Po ashtu, thuhet në njoftim, ushtria ka qenë në gatishmëri të plotë të veprimit pas ngritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Irani ka premtuar se do të vë para drejtësisë ata që kanë kryer sulmin.
Presidenti Iranian Hassan Rohani, e quajti incidentin “tragjedi të madhe dhe gabim të pafalshëm”.