Irani premton “shkeljen” e sanksioneve të SHBA-së
Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, të përshkruara nga presidenti amerikan, Donald Trump si më të “fuqishmet ndonjëherë” kundër këtij shteti, tashmë kanë nisur së aplikuari duke goditur sektorin iranian të energjisë dhe sektorëve financiarë.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë ndonjë njoftim për sanksionet që kanë nisur të zbatohen në orët e para të 5 nëntorit dhe të cilat janë cilësuar si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të shtuar presionin ndaj Teheranit që të “ndryshojë qasjen” dhe t’iu japë fund atyre që SHBA-ja i cilëson si aktivitete të “dëmshme” të këtij shteti në rajon.
Në kuadër të valës së re të sanksioneve, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar konsumatorët e Iranit që të ndalin blerjen e naftës iraniane sepse në të kundërtën do të përballen me ndëshkime amerikane, pavarësisht se për tetë shtete ka hequr masën e sanksioneve për 180 ditë, duke iu mundësuar importimin e naftës nga Irani.
Presidenti iranian, Hassan Rohani është përgjigjur menjëherë pas aplikimit të sanksioneve në shtetin e tij, duke thënë për televizionin shtetëror se Irani është duke u përballur me “gjendje lufte”.
Ai po ashtu është zotuar që Irani me “krenari do të anashkalojë” sanksionet amerikane për të shitur naftë.
“Amerika dëshiron që të ndalim plotësisht shitjen e naftës, mirëpo ne do të vazhdojmë shitjen e saj, do të shkelim sanksionet”, është shprehur presidenti iranian.
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian ka prezantuar disa pamje të sistemeve ajrore për mbrojtje, të cilat janë përfshirë në stërvitjet ushtarake dyditore në veri të Iranit./rel/