Irani takon pesë nënshkrueset e marrëveshjes bërthamore
Diplomatë të lartë nga Irani dhe pesë fuqi botërore takohen sot në Vjenë, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pas tërheqjes së ShBA-së.
Udhëheqësit iranianë kanë thënë se do të mbeten në marrëveshje, nëse Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina sigurojnë se Irani mund të bëjë biznes me botën, pavarësisht sanksioneve amerikane.
“Nuk do të jetë e lehtë, por do të përpiqemi”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Me marrëveshjen bërthamore, Irani është pajtuar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, ShBA-ja është tërhequr nga marrëveshja dhe është zotuar se do ta godasë Iranin me “sanksionet më të fuqishme në histori” nëse ai nuk pajtohet t’i frenojë më shumë aktivitetet e tij bërthamore, t’i japë fund programit me raketa balistike dhe të ndalojë ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe në Jemen. (Rel)