Irani thotë se ka ekzekutuar një spiun të CIA-s
Gjyqësori i Iranit ka bërë me dije se një ish-punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është dënuar me vdekje për shitje të informacioneve tek Agjencia Qendrore e Inteligjencës në ShBA – CIA, është ekzekutuar.
Zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Esmaili, ka thënë se Reza Asgari ka qenë në kontakt me CIA-n gjatë viteve të fundit të shërbimit të tij në Ministrinë e Mbrojtjes në Iran dhe se i ka shitur asaj informacione për programin raketor të Iranit.
Esmaili ka thënë se Asgari është ekzekutuar javën e kaluar, raporton “Rel”.
Sipas tij, Asgari ka punuar në Departamentin e Hapësirës Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është pensionuar katër vjet më parë.
Në lidhje me një tjetër rast, Esmaili ka thënë se dënimi me vdekje i Mahmud Musavi-Majdit, një iranian i akuzuar për spiunim për ShBA-në dhe Izraelin, nuk është ekzekutuar ende.
Autoritetet iraniane kanë thënë se Musavi-Majd ka dhënë informacione për vendndodhjen e Qassem Soleimanit, komandantit të forcës elitë të Gardës Revolucionare Islamike, i cili është vrarë nga një sulm ajror i ShBA-së në Irak, në muajin janar.
Gjyqësori ka thënë muajin e kaluar se dënimi me vdekje i Musavi-Majdit do të ekzekutohet “shpejt”.